fbpx

BDI: Këto janë investimet tona në infrastrukturë

Ndërtimi i Korridorit 8, projekt 900 milion eurosh, është kryefjala në llogaridhënien e BDI-së për projektet kapitale. Sipas tyre, shkurtimi i distancës mes Maqedonisë me Shqipërinë dhe Kosovën përmes kësaj autostrade, është projekti më kombëtar i kësaj kohe. Përveç Korridorit 8, BDI-ja u lavdërua edhe me 195 kilometra të tjera rrugë të ndërtuara, me vlerë prej 419 milion euro. Janë ndërtuar edhe disa ura.

“Ndërtimi i rrugëve që na afrojnë e lidhin me njëri-tjetrin, është pikërisht rruga që kemi ecur ne gjatë qeverisjes sonë. Shkurtimi i distancës fizike mes nesh, mes nesh dhe Shqipërisë, mes nesh dhe Kosovës është projekti më kombëtar i ditëve të sotme. Ky pohim yni mbështet me projekte kapitale që po jetësojnë atë që quhet Korridori 8. Gjithsej 900 milionë euro kemi akorduar dhe paraparë për të gjitha këto ndërmarrje, një pjesë e të cilave ka nisur dhe një pjesë tjetër ka përfunduar”, u shpreh Rexhail Ismaili, BDI.

Nga BDI numëruan edhe autostradat që janë pjesë e realizimit të projekteve që ata kishin premtuar.

“Autostradat Kërçovë-Strugë dhe Gostivar-Qafë Thanë,  akset rrugore Kërçovë-Strugë-Ohër, Strugë-Qafë Thanë dhe Trebenishtë-Strugë, janë arteriet ekonomike e kulturore që na lidhin me Shqipërinë. Autostrada Shkup-Bllacë, rrugët Likovë-Gjilan, Llojan-Miratovcë, Stançiq-Bellanoc dhe Tanushë-Debëllde janë damarët që do të mbajnë të zhvilluar më mirë se kurdoherë lidhjet tona familjare, kulturore dhe ekonomike me Kosovën. Lidhja përmes dy akseve, të Rrugës së Arbrit me Korridorin 8, për të cilën gjë janë ndarë 35 milionë euro, është impulsi për një zhvillim të sigurt të Dibrës së Madhe dhe të Dibrës së Vogël”, deklaroi Rexhail Ismaili, BDI.

Ndërtimi dhe rikonstruktimi i rrugëve shtetërore nga Tabanoca e deri në Strugë dhe nga Kumanova e deri në Dibër, në gjatësi prej 195.1 km dhe me vlerë totale 418.7 milionë euro, është garancia për një zhvillim të barabartë të rajoneve, edhe atë:

1. Tabanoc – Kumanovë, 7.6 km, ndërtim i autostradë së re Vlera: 15.5 milion euro

2. Strugë – Dibër, 52.7 km rikonstruim i tërësishëm Vlera: 9.1 milion euro

3. Kufiri me Shqipërinë – Xhepishtë, 1.3 km, ndërtim i ri I rrugës Vlera: 600,000 euro

4. Ura e Boshkut – Ura e Garriut, 8.2 km rikonstruim me zgjerim Vlera: 1.4 milion euro

5. Tetovë – Jazhincë, 16.5 km, rikonstruim me zgjerim Vlera:2.5 milion euro

6. Tetovë – Bogovinë, 7 km, rehabilitim Vlera: 570,000 euro

Sa i përket zhvillimit të zonave rurale, nga BDI-ja thanë se për gjatë mandatit të tyre, në të gjitha komunat ku ka shqiptar, janë investuar rreth 512 milion denar për ndërtim të ujësjellësve dhe kanalizimeve, si dhe afro 181 milion euro u janë dhënë bujqërve në formë subvencionesh.

“Për zhvillimin e zonave rurale në të gjitha komunat me shqiptar kemi siguruar nga viti 2008 e deri në vitin 2013, gjithësej 181 milion euro për subvencionim për të ndihmuar bujqërit tanë. Kurse për të lëhtësuar jetën dhe punën e tyre kemi investuar 512 milion denar në ujësjellës dhe kanalizime”  , tha Rexhail Ismaili, BDI.

Edhe në sektorin energjetik, BDI pohon se ka shënuar rezultate. Siç raportojnë nga kjo parti, janë ndërtuar hidrocentrale të shumta që kanë stimuluar edhe biznesin dhe kanë siguruar energji elektrike. Gjithashtu nga partia në pushtet bënë të ditur që nuk do të dëmtojnë asnjë lum për të realizuar projekte energjetike edhe pse uji është burim i energjisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button