Arrestohet pronari i kompanisë që ndërton sheshin “Skënderbeu” në Shkup

Inspektorati i financave ka arrestuar biznesmenin bullgar L.P, drejtues i “International Investmen Group”, ndërmarrje kjo që është e angazhuar për ndërtimin e sheshit Skënderbeu në Shkup, informojnë nga inspektorati i financave.

Ai dyshohet se ka kryer krim në vlerë prej 455.000 euro ndërsa sipas policisë në punën e jashtëligjshme i kanë ndihmuar edhe dy persona të tjerë O.M shtetas i Bullgarisë dhe XH.D shtetas i Maqedonisë.

Siç informojnë nga inspektorati i financave, biznesmeni bullgar bashkë me dy personat e tjerë të cilët janë në arrati, kanë përgatitur fatura me të dhëna fiktive ndërsa mashtrimet i kanë bërë nëpërmjet ndërmarrjes “San Farmers Food” nga Shkupi ku i autorizuar i ndërmarrjes është i dyshuari XH.D të cilin biznesmeni bullgar e kishte angazhuar për punë ndërtimore edhe pse veprimtaria bazë e ndërmarrjes ishte tregtia e mishit me shumicë.

Gjykatësi, biznesmenit bullgar i ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

Nga hetimi është vënë në dukje se mashtrimet financiare kanë filluar nga janari i vitit 2012 për të vazhduar deri në shkurt të këtij viti.

Ndërtimi i sheshit Skënderbeu në Shkup ka filluar në nëntor të vitit 2012. Atëherë komuna e Çairit ka nënshkruar marrëveshje për të nisur punimet e ndërtimit me ndërmarrjen “International Investmen Group”,  për kryerjen e ndërtimeve me një vlerë prej 2,5 milionë eurove.

Lajme të ngjashme

Back to top button