Nëna: Burri erdhi i dehur, e sulmoi djalin me sëpatë

Gjykata e Shkallës së Parë e Korçës dje vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj 52-vjeçarit Thoma Sejderasi, i cili pasditen e së shtunës masakroi me sëpatë djalin e tij 23-vjeçar, teksa ishte në gjumë. Gjatë seancës gjyqësore, Sejdarasi, i cili akuzohet për “Vrasje të mbetur në tentativë” ka deklaruar se është penduar thellë dhe ka kërkuar mëshirë. Ndërkohë, nëna e të plagosurit, Rozeta Sejderasi ka pohuar gjatë marrjes në polici dhe prokurori se ka parë tmerr me sy. “Ndërhyra të mbroja djalin, por bashkëshorti më kërcënoi. Më tha që të mbyllja gojën, në të kundërt do të të vras dhe ty”.

GJYQI
Në seancën gjyqësore ku ishte i pranishëm edhe vetë i pandehuri, prokurorja e çështjes, Dhorina Theodhori ka treguar të plotë kronologjinë e ngjarjes. Sipas organit të akuzës, 23-vjeçari Albano Sejdarasi, pasi kishte lënë punën si kamarier në një lokal në Voskopojë, ishte nisur për në banesë. Teksa kishte zbritur nga furgoni, ai kishte parë babain e tij në një lokal duke konsumuar alkool. Mësohet se Albano ka hyrë në lokal dhe i ka thënë babait të tij që t’i japë fund pijes. I riu është kthyer në banesë për t’u qetësuar. Më pas ka mbërritur në shtëpi dhe në gjendje të dehur ka marrë sëpatën dhe ka nisur të godasë djalin e tij në gjumë. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i 52-vjeçarit, Arben Lena ka pretenduar se ngjarja ka ndodhur në kushte të rënda psikologjike të klientit të tij. Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues vendosi lënien në burg pa afat të Thoma Sejderasit. Në seancën e djeshme është zbardhur dëshmia e plotë e nënës së të riut të plagosur dhënë para hetuesve të çështjes. Rozeta Sejderasi ka treguar me detaje skemën e krimit dhe shkakun që çoi deri në gjymtimin e djalit.

Si ka ndodhur ngjarja?
Albano erdhi nga puna dhe po flinte në kuzhinë, ndërsa unë po bëja punët e shtëpisë. Më pas erdhi i ati. Im shoq më pyeti ku ishte djali dhe unë i tregova se po flinte në divanin e kuzhinës. Pasi e pa djalin e shtrirë, ai iu afrua, e goditi lehtë në faqe dhe i tha: “Akoma po fle”. Unë ktheva kurrizin dhe vazhdova të bëja punët kur dëgjova që Thomai hapi derën e ballkonit dhe mori diçka. Unë nuk u ktheva ta shoh. Kaluan vetëm pak sekonda kur dëgjova një goditje të fortë dhe sapo ktheva sytë, ishte një skenë e tmerrshme. Pashë Thomain që mbante në duar sëpatën e vogël dhe djalin mes një pellgu gjaku në divan.

Çfarë bëtë më pas?
Bërtita sa kisha në kokë: Albano. Por sapo bëra këtë, burri e goditi djalin edhe njëherë në kokë. U përpoqa ta ndaloj, por Thomai më kërcënoi duke më thënë: Mbylle gojën se do të vras edhe ty. E tmerruar vrapova, dola jashtë dhe kërkova ndihmë për djalin tek fqinjët. Ndërsa bashkëshorti im qëndroi i qetë me duar tërë gjak.

Kishte konsumuar alkool?
Po, kishte konsumuar alkool. Për hir të së vërtetës, ai pinte shpesh alkool. Kjo është bërë shkak për grindje në familjen tonë. Nuk është hera e parë që kemi probleme apo sherre në shtëpi, pasi bashkëshorti im ishte konsumues i rregullt i alkoolit.

Keni gjë tjetër për të shtuar?
Më pas erdhi policia. Ndërsa djalin e nisëm me urgjencë në spital. Ishte i gjithi i mbuluar në gjak.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Lajme të ngjashme

Back to top button