Kriza e Krimesë dhe politika e gazit

Kriza e Krimesë dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë do të detyrojnë Moskën që të vihet në kërkim të të tjera tregjeve për të shitur gazin dhe naftën e saj.

Alternativa më e mirë është Kina. Ekonomia e dytë më e madhe në botë po rrit konsumin e saj me ritme të shpejta. Moska nuk dëshiron kurrësesi që të humbasë këtë mundësi dhe sanksionet do të jenë një arsye më shumë për të nxituar në ndërtimin e infrastrukturës për transportin e gazit dhe naftës drejt tregut aziatik.

Ajo që dëmtohet më shumë nga kjo është Europa. 30 përqind e sasisë së përgjithshme të gazit që konsumohet në vendet e Bashkimit Europian mbërrin nga Rusia. Për Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kanë rritur ndjeshëm prodhimin vendas, do të rritet varësia ndaj gazit dhe naftës së Lindjes së Mesme.

“Bloomberg” shkruan se Kina ka arritur një marrëveshje me vlerë 350 miliard dollarëshe me Rusinë për blerjen e gazit dhe naftës në vitet pasardhëse dhe lidhjet me shumë gjasa do të forcohen, nisur nga sanksionet perëndimore.

“Do të shohim rusët në kërkim të tregjeve të reja dhe aziatikët në kërkim të ofertës më të mirë. Kjo do të përkthehet në lidhje më të forta ekonomike mes këtyre dy palëve”, thotë Philip Verleger, specalist i ekonomisë së energjitikës.

Sipas tij vendet e Europës do ta vuajnë më shumë këtë, duke përjetuar rritje të cmimit të gazit në përpjekje për të gjetur alternativa të tjera që do të zëvendësonin gazin rus. Në fakt alternativat do të kërkojnë vite që të vihen në funksion të plotë. Kanadaja është në maksimumin e prodhimit të saj, fushat e Polonisë, që mendohet se janë të pasura me gaz, mbeten për t’u zbuluar dhe investime të mëdha kërkohen, po ashtu edhe gazi në brigjet e Brazilit dhe të Afrikës Perëndimore ndodhet mijëra metra nën tokë dhe kërkon vite të tëra pune dhe investime për të dalë në sipërfaqe.

Duke analizuar gjithë këto atëherë me të drejtë lind pyetja, kush dëmtohet nga sanksionet?

Lajme të ngjashme

Back to top button