Mësojnë maqedonisht, testohen shqip

Nxënësit shqiptarë të cilët në mungesë të profesorëve dhe arsimtarëve shqiptarë, janë të detyruar të ndjekin mësim në gjuhën maqedonase, testimin ekstern e bëjnë në gjuhën shqipe.

Rast konkret kemi në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Manastir, ku nxënësit shqiptarë në mungesë të arsimtarëve ndjekin mësimin në shumicën e lëndëve në gjuhën maqedonase kurse në fund testohen në gjuhën shqipe.

Zait Aliu, anëtarë në këshillin e prindërve të kësaj shkolle shpreh shqetësim të madh sa i përket situatës momentale në këtë shkollë, ai thotë se nxënësit tregojnë rezultat të dobët nga vet shkaku se mësojnë maqedonisht kurse testimit ekstern i nënshtrohen në gjuhën shqipe.

“Është e vështirë të përkthesh terminë dhe fjalë nga një gjuhë e huaj në atë shqipe, sidomos kur nxënësit nuk ndjekin mësimin në gjuhën amë. Këtu hasin ne problem me moskuptimin e pyetjeve përkatëse që normal rezulton me një sukses negative në këtë testim”, tha për Portalb, Aliu.

Po ashtu edhe nxënësit shqiptarë që mësojnë pranë gjimnazit “Koço Racin”, në Veles ballafaqohen me problemin e njëjtë.

“Ka mungesë të madhe të kuadrit të profesorëve shqiptarë, kurse numri i nxënësve shqiptarë është në rritje e sipër. Shumicën e lëndëve ata e mësojnë në gjuhën maqedonase kurse pastaj maturën shtetërore si dhe testimin ekstern e bëjnë në gjuhën shqipe. Ajo është gjuha amë, por ata nuk kanë mësuar në atë gjuhë dhe e kanë vështirë që mësimet t’i përkthejnë vetë në gjuhën shqipe. Ky është një problem mjaft i madh ngase suksesi i këtyre testimeve luan rol të rëndësishëm në vazhdimin e arsimimit”, tha profesori Bedri Gjureci.

“Unë gjuhën shqipe normal që e di është gjuha ime, por mësimet i kemi mësuar maqedonisht, nuk është faji i jonë që nuk ka profesor shqiptarë. Është e vështirë të mësosh në një gjuhë dhe të testohesh në një tjetër. Na përzihen gjitha mësimet e kemi shumë të vështirë”, tha një nxënëse.

Prindërit së bashku më profesorët dhe nxënësit apelojnë që ose të zgjidhet çështja e punësimit të profesorëve dhe arsimtarëve shqiptarë ose nxënësit të testohen në atë gjuhë që kanë ndjekur mësimin, sepse kështu më të dëmtuarit janë vetë ata.

Lajme të ngjashme

Back to top button