A ishte vetëvrasje? Piloti mund ta ketë rrëzuar qëllimisht avionin

Vetëvrasja është bërë shkaku më i mundshëm i zhdukjes së fluturimit të “Malaysia Airlines”.

Ekspertët besojnë se avioni u drejtua me qëllim në një lartësi ekstreme që të godiste pasagjerët. Kjo ndodhi pak më vonë pas komunikimit të fundit zanor nga bordi i avionit me radarët, në datën 8 mars. 

Burimi, i cili dëshiron të mbetet anonim, tha për “Daily Mail” se: “Avioni u dallua të fluturonte në këtë lartësi për 23 minuta para zhdukjes. Oksigjeni mund të ketë mbaruar në 12 minuta, duke bërë që pasagjerët të humbisnin vetëdijen.”  Ai shtoi se shumë ekspertë të tjerë të kërkimeve kanë arritur në këtë konkluzion. 

Mirëpo avioni Boeing 777-200ER mund të fluturonte i sigurt në lartësinë 13.106 metra, madje edhe në lartësi më të mëdha, thonë ekspertët. Por në këtë lartësi, ku atmosfera hollohet në mënyrë drastike, do të duheshin disa minuta, ose edhe sekonda që të ndodhte hipoksia – mungesa e oksigjenit – në kabinën e pilotëve. Maskat e oksigjenit mund të kenë rënë, por ato zgjasin për 5-10 minuta. Ajrimi i kabinës do të kishte qenë një problem në këtë lartësi. 

Chris Goodfellow, një pilot kanadez beson se ka rënë zjarr në bordin e avionit. Ai vlerëson se kapiteni Zaharie Ahmad Shah po bënte ekzaktësisht atë që duhej bërë në një emergjencë dhe po përpiqej ta drejtonte avionin për në aeroportin më të afërt, sa më shpejt që të mundej. Megjithatë, ai beson se ekuipazhi u mbyt nga tymi dhe avioni fluturoi si “një fluturim fantazmë” për orë të tëra, para se të binte në Oqeanin Indian, pranë Maldiveve. 

Dega e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore në Britani dhe ekspertët nga industria hapësinore evropiane janë përfshirë në analiza. Shkaqet e dyshuara për zhdukjen e avionit të “Malaysia Airlines” kanë qenë të shumta, duke filluar me një shpërthimin të mundshëm në bord, rënien e zjarrit, çarjen e skeletit të avionit, rrëmbimin, një sulm terrorist ose kibernetik, vjedhjen deri te vetëvrasja e pilotit./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button