Tre milionë euro kredi për gratë sipërmarrëse në Maqedoni nga BERZH-i

BERZH-i siguron tre milionë euro kredi, si pjesë e nismës rajonale për Ballkanin Perëndimor – Gra në biznes, për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të drejtuara nga gra të cilat do të plasohen përmes NLB Tutunska Banka. Marrëveshja është nënshkruar sot midis BERZH-it dhe NLB Tutunska bankës.

Programi është krijuar për promovimin e sipërmarrësisë te gratë, duke iu ndihmuar ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) të drejtuara nga gratë, në qasjen deri te financat dhe shërbimet këshillëdhënëse, duke iu mundësuar që të realizojnë rritje në punë. Programi kombinon financim, mbështetje teknike dhe shërbime këshillëdhënëse afariste për mbështetje të NVM-ve të drejtuara nga gra. Ndihma teknike dhe shërbimet këshillëdhënëse janë bashkëfinancuar nga qeveritë e Luksemburgut dhe të Suedisë.

“Inkurajimi i grave sipërmarrëse është pjesë e rëndësishme nga aktivitetet e BERZH-it, në drejtim të realizimit të potencialit ekonomik të Maqedonisë dhe Ballkanit Perëndimor. Ky është program gjithëpërfshirës i cili ka për qëllim ta plotësojë boshllëkun në sigurimin e financimit dhe shërbimeve këshillëdhënëse për NVM-të të drejtuara nga gratë, në konsum dhe furnizim. Besojmë se këto mjete do të plasohen me sukses në kompanitë e Maqedonisë, falë partnerit tonë afatgjatë NLB Tutunska banka SHA Shkup”, deklaroi përfaqësuesja e BERZH-it për Maqedoni Anka Joana Jonesku.

Kryetari i Bordit drejtues të NLB Tutunska banka SHA Shkup Antonio Argir theksoi se Programi për mbështetje të grave në biznes, do të kontribuojë për zgjerim të mëtutjeshëm dhe pasurim të ofertës së produkteve kreditore të Bankës dhe shërbimeve këshillëdhënëse të cilat ua ofrojmë klientëve. “Ky program, shtoi, është veçanërisht i rëndësishëm sepse iu mundëson klientëve tanë qasje deri te kreditet në vlerë deri në 300.000 euro për financim të mjeteve bazë, por edhe të mjeteve për punën vijuese, me kushte shumë të volitshme, me afat të pagesës deri në pesë vjet. Ofron mbështetje jofinanciare, përmes shërbimeve këshillëdhënëse për përpunimin e strategjisë së biznesit, marketingut, kontabilitetit dhe teknologjisë informatike”.

NLB Tutunska Banka SHA Shkup plason kredi nga BERZH-i, të cilat iu ndihmojnë bizneseve lokale në përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe nxitjen e konkurrencës.

BERZH-i realizon projekte në Republikën e Maqedonisë nga viti 1993 dhe deri më tani ka investuar mbi 1,6 miliardë euro në mbi 100 projekte në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button