SHMMP: Në Maqedoni çdo javë humb jetën nga një punëtor

Në organizim të Shoqatës së Maqedonisë për Mbrotje në Punë (SHMMP) dhe Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) në Shkup u mbajt debat mbi avancimin e dialogut dypalësh për siguri dhe shëndet gjatë orarit të punës për krjimin e vendeve të sigurta dhe të shëndetshme të punës, raporton Anadolu Agency (AA).

Debati mbahet në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) “Përforcimi i partneriteteve të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore në krijimin dhe zhvillimin e të drejtës për mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm – E drejtë themelore e njeriut”, ndërsa ka për qëllim hapjen e diskutimit për mendimet dhe qëndrimet e të gjitha palëve të involvuara lidhur me zhvillimin e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.

Sipas raporteve të SHMMP-së të prezantuara në debatin e sotëm, në Maqedoni për çdo javë një punëtor humb jetën në vendin e punës. Siç thekson raporti, në vitin 2015 kanë ndodhur 144 aksidente në vendin e punës prej të cilave 39 ishin fatale, ndërsa në çdo 100.000 të punësuar, humbin jetën 5-6 të punësuar.

Kryetar i LSM-së, Zhivko Mitrevski, theksoi se duke u bazuar në analizat e kryera nga shoqata që drejton ai, u fillua një fushatë për ndryshimin e Ligjit për siguri dhe shëndet gjatë orarit të punës, me qëllim uljen e fatkeqësive dhe lëndimeve në vendin e punës. Ai shtoi se në fund të vitit 2014 Ligji u ndryshua dhe e përforcoi pozicionin e organizatave sindikaliste, por sipas tij, organet kompetente duhet ende të punojnë në zbatimin e plotë të këtij Ligji.

“Në fund të fundit asgjë nuk mund të realizohet nëse të gjithë së bashku me partnerët social, veçanërisht në nivelin bazë lokal, nuk fokusohen në pjesën e zbatimit të ndryshimeve të këtij Ligji”, u shpreh Mitrevski.

Ndërkaq, kryetar i SHMMP-së, Milan Petkovski, tha se në Maqedoni siguria dhe shëndeti i punëtorëve në vendin e punës nuk është e mbuluar sa duhet dhe se këto debate publike do të kontribuojnë që t’i kushtohet më shumë vëmendje kësaj çështje.

“Mendojmë se këto çështje janë të rëndësishme sepse një pjesë e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në punë janë të zgjidhshme në vendin e punës dhe thuajse me shumë pak mjete financiare”, tha Petrovski.

Në këtë debat morën pjesë organizata të shoqërisë civile, punëdhënës, organizata sindikaliste, institucione arsimore, media, përfaqësues të sektorëve relevant dhe faktorë tjerë të kësaj fushe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button