Lëvizja BESA: Investimet po bien si rezultat i politikave të mbrapshta të Qeverisë

“Maqedonia vitet e fundit po shënon rënie të vazhdueshme të investimeve të huaja. Me zhvillimin ekonomik, e sidomos me investimet e huaja, Maqedonia po shënon dështim pas dështimi: nga 138 investime të parapara deri më tani, deri tash janë realizuara vetëm 51 investime edhe atë me proces të shkurtuar të investimeve. Pjesa tjetër, gjegjësisht 43 investime, nuk janë realizuar, kurse 44 investitorë janë në proces. Ndërkaq një pjesë e madhe e investitorëve i tërheqin investimet mbrapsht”, thuhet në kumtesën e sotme të Lëvizjes BESA.

Siç e dimë, thuhet në kumtesë, dështimet në investimet e huaja ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e shkallës së papunësisë.

“Ndërkaq e vërteta është se me këto investime janë paraparë 62.701 të punësuar, ndërsa janë realizuar vetëm 20.246, që do të thotë se nuk janë realizuar 42.455 punësime të premtuara. Në anën tjetër, nga vlera e paraparë e investimeve të huaja, 3.79 miliardë euro, janë realizuar vetëm 579.64 milionë euro. Në kuadër të dështimeve për tërheqjen e investimeve, Maqedonia ka dështuar edhe në tërheqjen e investitorëve që do të gjeneronin prodhim të industrisë së lehtë dhe të rëndë, përderisa pjesa më e madhe e investimeve janë nga sektori i shërbimeve dhe tregtisë” , shprehen nga Lëvizja Besa.

Ata gjithashtu shtojnë se në Maqedoni  vërehet edhe elementi i diskriminimit rajonal, ku nga investimet e parapara në gjithë territorin e Maqedonisë, në qytetet me shumicë shqiptare, nga gjithsej 138 investime të parapara, rezultojnë vetëm 6 investime të huaja.

“Madje, nga këto 6 investime të huaja janë realizuar vetëm 2, kurse 4 prej tyre ende nuk janë realizuar, bile ka tendencë të tërhiqen nga realizimi i investimit të mëtutjeshëm.  Kjo gjendje do ta rëndojë edhe më tepër ekonominë e vendit dhe do të paraqitet edhe si një element dyshimi për investitorët e rinj. Klima e krijuar politike, mungesa e transparencës, si dhe korrupsioni në nivel të lartë, ka ndikuar që investitorët e huaj ta ngadalësojnë procesin e investimit, t’i tërheqin investimet e tyre nga vendi dhe të mos shfaqin interesim fare për të investuar në Maqedoni”, nënvizojnë nga Lëvizja BESA.

Lëvizja BESA rithkeson se është e interesuar që të krijojë klimë të favorshme për biznesin e vendit dhe për investitorët e huaj, “duke e lehtësuar procesin e investimit, duke mundësuar kështu transparencë të plotë në procesin e investimit, si dhe duke mundësuar lehtësira me anë të paketave fiskale ose tatimeve, si edhe mundësi që proceset administrative të mund të kryhen nëpërmjet internetit. Këto masa do të mundësonin që të rritet edhe besimi në kapacitetet dhe tregun e Maqedonisë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button