Dhjetë vite nga “Marrëveshja e Majit”, a do t’i lejojë Ahmeti edhe njëherë politikat anti-shqiptare të Gruevskit?

As i shkruar e as i nënshkruar parimi i “fituesi me fituesin” dhjetë vite më vonë përmendet edhe nga BDI edhe nga VMRO. Dhjetë vite nga “Marrëveshja e Majit”, a do ti besojë Ahmeti edhe njëherë Gruevskit anti-shqiptar?

Para një dekade, më 29 maj 2007, Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski në fshehtësi u morën vesh në të a.q “Marrëveshje të Majit” për të qeverisur së bashku. Asokohe, Bashkimi Demokratik në krye me Ahmetin, kishte “kushtëzuar” VMRO-në e Gruevskit me 4 pika kyçe: 46 ligje të kalojnë në Kuvend, ri-komponim të Komitetit për Marrëdhënie ndër-etnike, mbështetje materiale-sociale për ish ushtarët e UÇK-së, Ligjin për përdorimin e gjuhëve, shkruan Portalb.mk.
Sa u realizuan këto “kushtëzime”, është shkruar shumë herë nëpër media dhe në këtë shkrim nuk do të hyjmë në detaje edhe pse dukshëm gjuha shqipe nuk është zyrtare ndërsa ish ushtarët e UCK-së asnjëherë nuk fituan ligjin e premtuar por u zhdëmtuan në mënyra të ndryshme, kush më shumë kush më pak dhe kush aspak.

Ndonëse kurrë brenda këtyre dhjetë viteve Guevski publikisht nuk e pranoi një marrëveshje të tillë, madje gjithnjë e ka përbuzur, gjë që mund të shihet në videon më poshtë ku ai thotë që “mund të jetë një letër e kotë, e imagjinuar”, ditëve të fundit është po ai i njëjti që “vendos në përdorim” po të njëjtën marrëveshje. Këtë radhë duke pasur theksin te parimi “fituesi me fituesin”. Edhe pse, si që e bëri publike Alsat-M, në këtë dokument askund nuk ceket parimi i tillë.
Në pikën e pestë – të fundit të këtij dokumenti të pa firmosur nga asnjë lider, flitet për formimin e qeverisë, por askund nuk përmendet as fjala “fitues”, shkruan Portalb.mk.

“As që kemi nënshkruar dokument, e as që kemi ndërmend të nënshkruajmë dokument. Atë që e mbanë në dorë Sheqerinska, me siguri është ndonjë procesverbal i dikujt që jo që nuk është nënshkruar por as që mund të ketë peshën e ndonjë dokumenti”, pat thënë Gruevski.

“Kryeministri po gënjen! Po gënjen para opinionit! Ky është dokumenti që dëshmon se më 29 maj, dy parti VMRO dhe BDI janë dakorduar me prezencën e faktorit ndërkombëtar. Pyes kryeministrin se si mund të gënjejë?”- pat theksuar deputetja e LSDM-së, Sheqerinska.

Gruevski i zënë ngushtë nga hetimet ndaj tij për korrupsion dhe krim, që dita ditës po shtohen nga Prokuroria Speciale si dhe nga numri i zvogëluar i deputetëve, duke mos e pasur mandate të mjaftueshme për si që thoshte në fushatë “ti mposhtur shqiptarët” është i detyruar të t’u bashkëngjitet, konkretisht të negociojë me Ahmetin, për ti futur deputetët e tij në një “thes qeveritar” , shkruan Portalb.mk.

Në këtë situatë është logjike, si që shprehet kryeministri aktual i cili ka edhe funksionin deputet dhe ende nuk ka dhënë dorëheqje ndonëse shkel një sërë ligjesh, Emil Dimitriev, që VMRO të kërkojë këtë parim, megjithatë çfarë logjike ka kur partia e Ahmetit insiston në të njëjtin?

Dhjetë vite nga përvoja e parë e këtyre lloj marrëveshjeve sa është i kënaqur Ali Ahmeti me “besnikërinë” e Nikolla Gruevskit, ku shkaku i fjalëve të tij “elektorati ka menduar se Ahmeti gënjen”? (në video)

Apo është i kënaqur me VMRO-DPMNE-në si parti që mban fjalën dhe gjitha kushtet që ia ka caktuar BDI ndër vite i ka pranuar dhe implementuar me lehtësi?

Ose, mos vallë nuk i mjaftojnë hetimet e Prokurorisë Speciale të cilët janë kundër krimit dhe korrupsionit nga krerët e VMRO-së?

BDI aktualisht është ambivalente kundrejt koalicionit me VMRO-në pasi që dëgjojmë deklarata të ndryshme, nga Osmani dhe Bejta, disa pro e disa kundër koalicionimit. Përderisa ekziston kjo dilemë, sërish rikujtojmë që  VMRO DPMNE-ja për vite me radhë udhëhoqi fushatë anti-shqiptare dhe së fundi humbi kredibilitetin në të gjitha sferat e jetës,  shkruan Portalb.mk.

Të rikujtojmë dhe një gjë, pikërisht VMRO-DPMNE-ja ka shkaktuar kriza politike dhe dëmtuar partitë shqiptare fituese në zgjedhje.

Sipas ish-deputetit, Mersel Bilalli, BDI-ja do të bëjë koalicion me LSDM-në, duke shkelur mbi rregullën e pashkruar, sepse sipas tij, shumëçka ka ndryshuar prej atëherë. Ai thekson tre arsye:

“Së pari, tani një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kanë votuar për opsionin LSDM që në një farë forme është mesazh serioz dhe lëkundje serioze të aspektit përfaqësues shqiptar nga partitë gjoja shqiptare, të zbrazëta.
E dyta në aspekt të rregullativës kushtetuese nuk ka zbrazëtirë. Pra në qoftë se një subjekt politik i cili ka fituar më së shumti vota nuk arrin të bëjë koalicion, do të bëjë i dyti.
E treta, VMRO DPMNE-ja ka humbur kredibilitetin në çdo segment që ta përfaqësojë shtetin dhe kjo është një fazë kalimtare në të cilën domosdo duhet ta gjejmë rrugën. Flasim për parime themelore, jo për shumicë e demokraci, bisedohet për shpëtim nga situata dramatike në të gjitha segmentet që kanë ndodhur në këtë shtet”
 sqaroi Bilalli.

Ish-ministri i financave, Xhevdet Hajredini beson se BDI-ja është e detyruar të bëjë koalicion me LSDM-në, për arsye se ky është përcaktimi i qytetarëve shqiptarë dhe partive tjera shqiptare dhe se këtë herë vetëm VMRO DPMNE-ja me BDI-në nuk mund të formojnë qeveri. Kështu sipas tij, pavarësisht se mos-hyrja në qeveri me VMRO DPMNE-në e rrezikon BDI-në të ballafaqohet edhe me publikimin e shumë veprave penale dhe amorale të kuadrove të saja, nga të cilat disa “do të shkojnë në burg bashkë me Nikolla Gruevskin e VMRO-së”.

“Po të ishte situata që BDI-ja të bëjë atë që do, do të kishte shkuar menjëherë me VMRO-në në koalicion. Jo për shkak të principit, për të cilin kemi qenë të gjithë ne në të kaluarën (sepse e kundërta ishte e papranueshme për shqiptarët). Fatkeqësisht BDI-ja gjatë kohës që ishte në pushtet me VMRO-në e kompromentoi principin, dmth si një parti që i përfaqëson interesat e shqiptarëve i tradhtoi interesat e shqiptarëve. Dhe si rezultat e mori përgjigjen nga populli shqiptar dhe kjo nuk do të ndodh. Jam i bindur” theksoi Hajredini.

“Meqë shumica e popullit shqiptar dhe të gjitha partitë tjera politike shqiptare janë rreshtuar që në qoftë se do përkrahje BDI-ja patjetër të bëjë koalicion me LSDM-në. Tjetër rrugë nuk ka” shtoi.

Dy raste kur VMRO DPMNE-ja nuk formoi qeveri me fituesin shqiptar por me PDSH-në 

Në historinë politike të Maqedonisë janë shënuar dy raste kur partia fituese maqedonase ka formuar qeveri me partinë shqiptare që nuk ka fituar shumicën e votave të qytetarëve shqiptarë. Edhe atë:

  • Në zgjedhjet e vitit 1998 prej partive shqiptare më së shumti vota fitoi PPD-ja, por VMRO DPMNE-ja (në krye me Lupço Georgievskin) formoi qeveri me PDSH-në (në krye me Arbër Xhaferin), me të cilën bashkë-qeverisi deri në vitin 2002;
  • Në zgjedhjet e vitit 2006 BDI-ja fitoi 17 mandate, kurse PDSH-ja 11. Por mandatari për formimin e qeverisë së atëhershme (lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski) formoi qeveri me PDSH-në, me të cilën qeverisi deri në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2008. Që atëherë BDI-ja theksonte nevojën e zbatimit të rregullës së pashkruar, se partia fituese maqedonase duhej të formojë qeveri me atë parti shqiptare që fiton më së shumti vota./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Marreveshja e Majit u shpik nga Bdi dhe analistat nga ish PPD qe te shkaterohet vetem e vetem PDSH , pa marre parasysh se cfare cmimi do ta paguan Mileti n cdo aspekt te jetes sinne Ekonomi, finanaca, arsim , infrasturktur, dhuné etj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button