Dygjuhësi që do t’i kënaqte të dy palët

Çdoherë kur flitet për dygjuhësinë në Maqedoni, përmendet edhe pjesa “në tërë territorin e shtetit”. Çështja e gjuhës gjithnjë ka qenë problem pas pavarësimit të Maqedonisë, sepse gjithnjë kërkesat e shqiptarëve kanë qenë që edhe gjuha e tyre të jetë zyrtare, por formulacioni “në tërë territorin e shtetit”, pas avancimeve që janë bërë deri tani (përdorimi i shqipes në Parlament, në pushtetin lokal, në komunikim me organet shtetërore, gjyqësore, në dokumentet personale, arsimin sipëror), në sytë e partive maqedonase në start duket  “maksimaliste”. A do të gjenden këto dy qasje në ndonjë “mes të artë” ku do të kënaqet synimi i shqiptarëve për status të barabartë të shqipes me maqedonishten, dhe njëkohësisht nuk do të tronditeshin subjektet maqedonase? Flasim për mes të artë, sepse nëse mbeten të dy palët në qëndrimet e tyre, nuk ka asgjë prej avancimit dhe me këtë vazhdon edhe agonia e krizës politike ndërsa statusi i gjuhës shqipe mbetet në status quo.

Nëse për diçka ka qasje të kundërta, gjëja e parë që u shkon ndërmend subjekteve është që të shihen standardet dhe përvojat ndërkombëtare, sepse në botë ka shembuj të panumërt se si shtetet e kanë zgjidhur të drejtën e përdorimit të gjuhëve të popujve të tyre.  Për të qenë realë, dygjuhësi në tërë territorin e shtetit ndodhë relativisht rrallë nëpër botë, ndërkaq nëse lëmë anësh aspektin  simbolik (të barazisë së plotë), në shembullin e Maqedonisë në pikëpamje praktike është e panevojshme duke pasur parasysh se ka shumë mjedise etnikisht të pastra. Poenta e modelit të dygjuhësisë i cili na duhet është që gjuha shqipe të jetë zyrtare për organet e pushtetit qendror dhe dokumentet personale, e më pak atje ku objektivisht nuk do ta përdorin shqiptarët si psh. në komunat ku s’ka asnjë shqiptar.

Pra, për realitetin etnik në Maqedoni më i përshtatshëm do të ishte ai model i cili do të mundësonte që gjuhët e dy bashkësive më të mëdha etnike të jenë zyrtare në nivel të pushtetit qendror, ndërsa në nivele më të ulëta të pushtetit, se cilët gjuhë do të jenë zyrtare të vendoset në bazë të realitetit demografik të atij rajoni. Për shembull, dihet se Zvicra i ka katër gjuhë zyrtare, por kjo nuk vlen për kantonet, sepse në shumicën e kantoneve zyrtare është vetëm një gjuhë. Dihet se Kanadaja i ka dy gjuhë zyrtare, por për shumicën e provincave ka vetëm një gjuhë zyrtare. Dihet se Finlanda i ka dy gjuhë zyrtare, por për shumicën e komunave është vetëm një gjuhë zyrtare. Dhe plot e përplot shembuj tjerë.

Në Maqedoni ky model do të dukej si vijon: për organet e pushtetit qendror (Parlamentin, Presidencën, Gjykatën Kushtetuese dhe Supreme, Qeverinë së bashku me ministritë, agjencitë dhe drejtoritë) dhe dokumentet personale, gjuhë zyrtare do të ishin edhe maqedonishtja edhe shqipja, ndërsa sa i përket komunave, gjuhë zyrtare do të ishte gjuha e komunitetit shumicë në atë komunë, dhe nëse ka ndonjë komunitet tjetër në atë komunë me mbi 20%, zyrtare do të jetë edhe gjuha e atij komuniteti. Sipas këtij modeli shqipja nuk do të jetë zyrtare në komunat si Shtipi, Berova, apo Dellçeva; por edhe maqedonishtja me ligj nuk do të ishte detyrimisht zyrtare në komuna ku maqedonasit janë nën 20%, siç janë Saraji, Haraçina, apo Likova (por që t’u iket reaksioneve të mundshme negative nga maqedonasit dhe keqpërdorimit nga politikanët e tyre që “tani në disa komuna maqedonishtja nuk do të jetë zyrtare”, formulimi ligjor do të bëhet ashtu që gjuhët që deri tani kanë qenë zyrtare në komuna të tilla, do vazhdojnë së qenuri zyrtare edhe pse nuk e arrijnë kriterin).

Me modelin e dygjuhësisë që u sqarua më lartë, kënaqet dëshira e shqiptarëve për ta patur gjuhën e tyre të barabartë me maqedonishten, dhe njëkohësisht hiqet frika e maqedonasve që gjuha shqipe do t’u imponohet në komunat ku s’ka asnjë shqiptar  Këtë model gjithsesi që mund ta modifikojmë për rrethanat tona. Për shembull, në rast se një shqiptar apo maqedonas ka punë në një komunë ku gjuha e tij nuk është zyrtare sepse komuniteti i tij atje është i paktë në numër apo inekzistent, dhe ky person nuk e din atë gjuhë zyrtare, atëherë me ligj do t’i garantohej përkthim pa pagesë. Gjithashtu, ashtu siç është tani, duhet të vazhdojë së vlejturi e drejta e komunës që në bazë të vullnetit të mirë ta shpallë zyrtare një gjuhë edhe nëse nuk e arrin kriterin e 20 përqindëshit, në bazë të së cilës, për shembull, Çairi, Studeniçani dhe Kërçova e kanë shpallur zyrtare turqishten edhe pse turqit në këto komuna nuk e arrijnë kriterin 20%.

Sa i përket mbishkrimeve nëpër rrugë, një zgjidhje optimale do të ishte të gjitha rrugët kryesore (autostradat) dhe rrugët ndërurbane të jenë në dy gjuhët zyrtare, ndërsa në vetë mjediset urbane, mbishkrimet te jene sipas kritereve të përdorimit në pushtetin lokal. Nëse partive maqedonase nuk u pëlqen ideja që mbishkrimet nëpër autostradat e gjithë shtetit të jenë dygjuhëshe, e njëjta që vlen për komunat le të vlejë edhe për të gjitha rrugët.

Togfjalëshi “në tërë territorin e shtetit” shërben si armë e VMRO-DPMNE-së dhe megafonëve të tyre medialë për ta kundërshtuar statusin e plotë zyrtar të gjuhës shqipe.  Në anën tjetër, nuk kemi njohuri si e paramendon avancimin e gjuhës shqipe partia tjetër, LSDM-ja, e cila është deklaruar se do të shkohet “përtej Marrëveshjes së Ohrit”, gjë që në start duket shumë qëndrim fleksibil. Por vështirë se LSDM-ja do të pranonte dygjuhësi në tërë territorin e shtetit duke e patur parasysh se çdo zgjedhje pas 2006-ës ata e kanë humbur për shkak se në kohën e tyre u bë decentralizimi dhe legalizimi i USHT-së; një dygjuhësi në tërë territorin e shtetit është edhe më e papranueshme për elektoratin maqedonas, prandaj vështirë se do hynin në një rrezik të tillë. Por edhe sikur hipotetikisht ata të pranojnë dygjuhësi në tërë territorin e shtetit, për ndryshime kushtetuese duhet shumicë e 2/3, diçka që partitë shqiptare së bashku me LSDM-në nuk mund ta arrijnë.

Dygjuhësia është një çështje e cila ka nevojë të mbyllet përfundimisht edhe për shkak se ka shumë zgjidhje të palogjikshme (bie fjala në parlament drejtimi i mbledhjeve nuk lejohet në shqip, ndërkaq në Qytetin e Shkupit ka mangësi në përdorimin e shqipes te urat, sheshet dhe rrugët, ndërkaq edhe në nivele tjera nuk është gjithçka sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit). Nëse shqiptarët angazhohen për një dygjuhësi si kjo që u përmend këtu, partitë dhe mediumet maqedonase e humbin alibinë kundër dygjuhësisë, ndërsa populli maqedonas ka më pak arsye të ketë kundërshti ndaj dygjuhësisë përderisa në nivel të komunës së tij ku s’ka asnjë shqiptar, gjuha që e ka aq antipati nuk do të jetë gjuhë zyrtare. Dhe nga ana tjetër, shqiptarët më në fund do të kënaqeshin që gjuha e tyre është me status të plotë zyrtar dhe e barabartë me maqedonishten.

Ka edhe një çështje në dukje problematike, por në fakt është thyerje tabushë dhe e thellimit të besimit të ndërsjellë: futja e lëndës së gjuhës shqipe si obligative ose të paktën fakultative nëpër shkolla, njësoj siç është tash maqedonishtja. Për këtë, në fakt, janë maqedonasit ata që duhet të jenë më të interesuar, sepse në konkurset për punë të kompanive private dhe ambasadave të huaja, njohja e gjuhës shqipe llogaritet përparësi!

(Autori është student i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button