Alibaba trazon tregun e tregtisë online

Hyrja e planifikuar në bursë e gjigantit kinez të tregtisë në internet, Alibaba, mund të ulë çmimet. Konsumatorët përfitojnë, por konkurrentët si Amazon dhe Ebay presin kohë të vështira.

“Kam frikë se do të kenë sukses”, thotë për Deutsche Welle studiuesi i tregtisë Kai Hudetz nga Instituti për Studime të Tregtisë në Këln. “Frika lind nga fakti që për strategjitë afatmesme dhe afatgjata të Alibabës dihet shumë pak”.

Analistët e vlerësojnë koncernin në 120 deri 180 miliardë dollarë amerikanë. Kështu, vitin e kaluar Alibaba shiti mallra për një vlerë totale më shumë se 170 miliardë dollarë, më shumë se sipërmarrjet perëndimore të tregtisë online, Amazon dhe Ebay së bashku, transmeton DW. Dhe kjo, thotë eksperti për tregtinë online, Alexander Graf, e dallon Alibabën nga konkurrenca.

Grupi Alibaba përfshin shërbime si Taobao, një shtëpi ankandi online që largoi nga tregu konkurrentin e ngjashëm me Ebay. Në faqen Aliexpress.com klientët gjejnë ngjashëm – si tek Amazon – mallra nga tregtarët.

Në platformat e tij, grupi Alibaba ofron vetëm mallra nga ofrues të tretë. Kosto – ndryshe nga Ebay – nuk ka as për shitësit dhe as për blerësin. Alibaba financohet vetëm nga të ardhurat nga reklamat, një koncept që në periudhë afatgjatë mund ta vinte në pozitë të vështirë Ebay-in.

Lajme të ngjashme

Back to top button