G7 kërcënon Rusinë me sanksione ekonomike

Udhëheqësit e G7-ës kanë paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione ekonomike, nëse vazhdon të destabilizojë Ukrainën, pas aneksimit të Krimesë.

Liderët e G7-ës kanë lëshuar deklaratën pas takimit të mbrëmshëm në Hagë. G7-ta ka dënuar, siç është shprehur, përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të aneksuar Krimenë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Në përpjekje për të izoluar Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë, presidenti Barack Obama dhe fuqitë e tjera ekonomike botërore pezulluan për një kohë të pacaktuar Moskën nga një koalicion i madh ndërkombëtar të hënën, përfshirë anulimin e një samiti ekonomik të planifikuar nga Presidenti Vladimir Putin që ishte planifikuar të mbahej në qershor.

Presidenti Obama u takua me udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Kanadasë dhe Japonisë për një takim urgjent të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara, i cili u përqendrua në aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, udhëheqësit e këtij grupi thanë se kishin pezulluar pjesëmarrjen e tyre me Rusinë në Grupin e Tetë vendeve më të industrializuara për aq kohë sa Moska nuk “ndryshon kurs” në qasjen e saj ndaj Ukrainës.

Presidenti Obama tha se, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara në mbështetjen për qeverinë ukrainase dhe popullin ukrainas.

Presidenti Obama dje mbërriti në Holandë për një takim rutinë mbi sigurinë bërthamore, por Ukraina dhe përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të izoluar Rusinë ishin në qendër të diskutimeve në takimin e presidentit Obama me homologun e tij holandez dje në Amsterdam.

“Evropa dhe Amerika janë të bashkuar në mbështetjen tonë për qeverinë dhe popullin ukrainas. Ne jemi të bashkuar në përpjekjet për t’i imponuar një kosto Rusisë për veprimet e saj”.

Administrata amerikane është gjithashtu duke u përpjekur të zgjerojë mbështetjen përtej Evropës për veprimet e saj ndaj Moskës. Një prej takimeve të para të zotit Obama ishte me presidentin kinez Xi Jinping në punimet e takimit mbi çështjen bërthamore në Holandë.

Kina ka ndërmarrë një hap të rrallë për të sfiduar veprimet e Rusisë në Krime duke thënë, ashtu si Shtetet e Bashkuara, se ajo dëshiron një zgjidhje me rrugë diplomatike të krizës./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button