Ndërkombëtarët mobilizohen në Maqedoni

Misioni i OSBE/ODIHR ka nisur monitorimin e tubimeve zgjedhore të partive politike, duke mobilizuar vëzhguesit ndërkombëtar dhe përfaqësitë diplomatike në Maqedoni për të vëzhguar nga afër fushatën e zgjedhjeve presidenciale.

Në teren ka dalë edhe shefi i këtij misioni, ambasadori Gert Arens i cili është duke zhvilluar takime intensive me krerët e partive politike dhe faktorë të tjerë politik dhe jopolitik në vend, për të njohur qëndrimet e tyre mbi zgjedhjet dhe fushatën. 

Janë 31 vëzhgues të OSBE/ODIHR që janë shpërndarë në tërë vendin për të ndjekur fushatën e partive dhe aktivitetet e tjera. 11 prej tyre janë fokusuar në Shkup dhe pjesa tjetër nëpër qytetet e tjera të vendit, duke nisur takime të ndryshme. 

“Nga vendet anëtare të OSBE-së do të kërkojmë edhe 300 monitorues afatshkurtër që do të jenë të pranishëm në javën e fundit të fushatës dhe në ditët e zgjedhjeve. Neve si mision na intereson procesi i votimit dhe ecuria e zgjedhjeve, si dhe më pas do të japim vlerësimin e përgjithshëm”, theksoi shefi i misionit Arens. 

Ai apeloi për një proces të qetë dhe demokratik zgjedhor, duke përjashtuar çdo parregullsi dhe rrezikim të procesit të zgjedhjeve.  Ndërkohë, në ndjekjen dhe monitorimin e fushatës janë përfshirë edhe diplomatë të shumë përfaqësive diplomatike në vend dhe media të huaja dhe nga rajoni.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button