Vështirë të “prishet” kurorëzimi i BDI-së me VMRO-DPMNE-në

Deklarata e fundit e Bujar Osmanit, zëdhënësit të Bashkimit Demokratik për Integrim, për VOA, në opinion u pa si përafrim i partisë me mandatarin Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-në, shkruan Portalb.mk.

Njohësit e rrethanave politike nuk habiten nga bashkëpunimi i mëtejshëm i BDI-së me VMRO-DPMNE-në.

Robert Nesimi
Robert Nesimi

“Nuk do habitesha nga bashkëpunimi i mëtejshëm i BDI-së me VMRO-në, pasi flasim për partinë që kohë më parë deshi të na bindë se luani duhet të jete në stemë sepse na qenka simbol shqiptar. Nuk duhet të harrojmë se BDI veçmë ndan pushtetin me VMRO-në tetë vitet e kaluara dhe nga perspektiva e saj (por jo e shqiptarëve) nuk është aspak e çuditshme që ky partneritet të vazhdojë. Nëse BDI vendos të bëjë koalicion me VMRO-në, ato do të mundohen t’i relativizojnë të gjitha veprimet anti-shqiptare te VMRO-së, duke tentuar t’a paraqesin LSDM-në si njëlloj antishqiptare, madje me tinzare dhe më të rrezikshme”, tha për Portalb.mk analisti politik Robert Nesimi.

Nesimi më tej potencon se nuk është çudi përsëri (BDI) të tentojnë të arsyetohen me udhëzimet (e paqena) të “faktorit ndërkombëtar” dhe me ruajtjen e parimit fituesi-me-fituesin, megjithëse ky parim, sipat tij, është marrëveshje veç mes këtyre dy partive dhe nuk është pjesë as e traditës politike, as e sistemit politik, parë nga aspekti ligjor.

Selim Ibraimi, njohës i çështjeve politike, vlerëson se ka shume arsye që partitë që përfaqësojnë shqiptarët të mos hyjnë në koalicion me VMRO-DPMNE dhe njëkohësisht ka faktorë që ende partitë shqiptare kanë rezerva për LSDM-në.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

“Në rastin konkret, BDI nuk ka shumë opsione, ose të bëjë marrëveshjen më Gruevskin ose me Zaevin. Opsioni i tretë për BDI është veprimi jashtë institucioneve e që duke u bazuar në deklaratat e përfaqësueseve të kësaj partie, opsioni është i parealizueshëm, sepse do të shkaktonte një krizë tjetër. BDI ka kumtuar se gjatë bisedimeve parasysh i ka edhe rrethanat e jashtme që ndikojnë në politikën e Maqedonisë. Koalicionimi pa kushte dhe afate do të jetë fatale për të gjitha partitë politike shqiptare. Në proces afatgjatë BDI do të përfshihet nga kriza e mbijetesës në skenën politike dhe qoftë hyrja apo dalja nga koalicionet nuk do të mund ta parandalojë erozionin partiak. Pa një reformim të mirë të partisë, vendimet për koalicone do të udhëhiqen kryesisht nga interesat grupore dhe karrieriste e që mund të jenë të kushtueshme për partinë. Andaj BDI duhet të vendosë jo vetëm për koalicionin por edhe për vetveten si parti që doli në skenë në vitin 2002”, deklaroi Ibraimi për Portalb.mk.

Ibraimi vë theksin në atë se është moment i vështirë për liderin e BDI-së Ali Ahmeti. “Megjithatë, ai pas vetes e ka edhe një anëtarësi që e ka mbështetur dhe të akomoduar në pushtet. Në prag të zgjedhjeve lokale shqetësimi për fatin e partisë do ta determinojë edhe vendimin se më kë do të shkojë BDI-ja”, kujton Ibraimi.

Shumë pak kohë…

Mandatarit Nikolla Gruevski, lideri i VMRO-DPMNE-së, partia që në zgjedhjet e fundit të 11 dhjetori siguroi 51 ulëse në Kuvend, kundër LSDM-së e cila siguroi 49 deputetë, po i kalon afati për ta formuar Qeverinë.

Nëse nuk arrin Gruevski të sigurojë shumicë parlamentare për ta formuar Qeverinë do të duhet ta kthejë mandatin. Gruevski, nga ajo që dihet publikisht ka pasur vetëm një takim me Ali Ahmetin, partnerin potencial për Qeveri të re, nga e cila nuk ka dalur asnjë detaj për opinionin.

Gruevskit po i mbeten edhe disa ditë deri më 29 janar, ndërsa të gjitha alternativat mbeten të hapura.

Më 19 janar, në selinë e LSDM-së, ishte Ali Ahmeti- lideri i BDI-së- për takim me Zoran Zaev, edhe nga ky takim asgjë e re nuk u kumtua “është folur për qëndrimet partiake”.

Të dielën Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së, në intervistën e tij për VOA tha se duhet të respektohet parimi “fituesi në bllokun shqiptar me fituesin e bllokut maqedonas”. Që do të thotë se BDI është më afër VMRO-së, e cila ka 51 deputetë.

Por, këtu është edhe Platforma e partive politike shqiptare, për të cilën VMRO-DPMNE pat thënë se nuk e pranon.

Sipas të a.q. Marrëveshjes së Majit nga viti 2008, duhet të respektohet parimi “fituesi me fituesin”. Gruevski javë më parë kujtoi se nëse kësaj here nuk respektohet ky princip, atëherë partia e tij në të ardhmen nuk do ta shohë si detyrim të koalicionojë me partinë fituese të pala shqiptare.

LSDM, gjatë gjithë kësaj kohe nuk kanë dalur me qëndrim në lidhje me Platformën e partive politike shqiptare.

Më 29 janar skadon afati i Gruevskit për të siguruar shumicë parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button