Intervistë ekskluzive e DW, Ramush Haradinaj: Nuk do të ekstradohem në Serbi

Qendrimi i Francës, akuzat e Serbisë, sjellja e autoriteteve të Kosovës, mundësia e ekstradimit, dialogu me Serbinë… janë vetëm disa nga temat për të cilat Haradinaj flet në bisedën me Deusche Welle-n.

Deutsche Welle: Zoti Haradinaj, ju po mbaheni në Francë që nga 4 janari, pas arrestimit në Basel, sipas fletëarrestit të Serbisë për krime lufte. Si ndodhi arrestimi juaj dhe cilat ishin akuzat?

Ramush Haradinaj: Kam qenë në udhëtim familjar me bashkëshorten Anitën dhe tre fëmijët: Gjinin, Hanën dhe Trimin. Pasi kaluam kontrollet kufitare, u paraqit policia franceze, e cila më ka kërkuar falje, por më thanë se duhet bërë një verifikim, sepse ka një urdhërarrest të shtetit të atëhershëm „Serbisë dhe Malit të Zi”, që tani është riaktivizuar. Procedurat e verifikimit kanë zgjatur rreth dy orë dhe në fund më kanë arrestuar në bazë të këtij fletëarresti.

Ju keni qenë edhe më parë në Francë, por nuk jeni ndaluar. A ka ndonjë shpjegim për këtë arrestim, pse pikërisht tani?

Unë nuk di ta definoj saktë pse më kanë arrestuar tani. E di që vende të respektuara të Bashkimit Evropian, siç janë Gjermania, Austria Zvicra dhe vende të tjera, i kanë anuluar këto fletëarreste, për shkak se unë i kam kryer këto procedura me Tribunalin e Hagës. Ndaj vetëvetiu këto fletëarreste kanë rënë. Kam qenë shumë i habitur me qasjen e Francës ndaj kësaj teme.

Si janë sjellë autoritetet franceze ndaj jush në momentin e ndalimit, pasi ju në atë moment keni qenë edhe me familjen?

Mendoj se Franca nuk është sjellë në mënyrën e drejtë dhe të duhur, për shkak se kjo është një aktakuzë politike. Më befason shumë respektimi prej Francës i një aktakuze të tillë të pastër politike, sepse Franca e di shumë mirë që unë i kam përfunduar këto dyshime në Tribunalin Ndërkombëtar. Ky arrestim është i pa drejtë, ëshë abuzim me ligjin. Ky është një cirk ligjor.

Cilat janë akuzat dhe a e keni pranuar ndërkohë akgakuzën nga Serbia? Ju keni qenë dy herë të akuzuar në Tribunalin e Hagës për krime lufte dhe sipas ekspertëve me të cilët kemi biseduar ne në Deutsche Welle, një aktakuzë tjetër mund të ngrihet vetëm nëse ka dëshmi të reja për krime. A ka diçka të re në këto akuza?

Këto janë vetëm lojë fjalësh, sepse kjo është një materie shumë e thatë. Të gjitha janë vetëm shpifje të regjimit të Millosheviqit, të cilat fillimin e kanë me akuzat nga viti 2004. Shpifjet të tilla nuk janë marrë fare për bazë në Tribunalin e Hagës. E gjitha kjo materie është trajtuar. Pra nuk ka asgjë të re. Deri në vitin 2011 unë jam përbalur me ligjin, me akuza të amandamentuara shumë herë dhe çdo materie që ka ardhur nga kushdoqoftë është shqyrtuar. Pra kjo është një agjendë politike e Serbisë, në të cilën për fat të keq po merr pjesë edhe Franca.

Autoritetet e Serbisë pohojnë se ato kanë dëshmi të reja, të cilat do të dërgohen në Francë së bashku me kërkesën për estradim. Keni ju ndonjë informacion lidhur me dëshmitë e palës serbe, a kanë mbërritur dhe cilat janë ato?

Unë e shoh që tani në Beograd është kthyer klima Millosheviqiane. Zoti Daçiq ka qenë një ndihmës i zotit Millosheviq. Zoti Vuçiq dhe zoti Nikoliq kanë qenë ndihmësa të zotit Sheshel, vartës të tij. Unë e shoh që ata janë kthyer totalisht në logjikën e Millosheviqit, që shihet edhe nga deklarimet e tyre të papërgjegjshme. Kjo dëshmohet edhe nga deklaratat e tyre, sepse politikani nuk duhet të flasë për ligjin. Imagjinoni kur për këto akuza të Serbisë më shumë flasin politikanët se sa ligji. Edhe fakti që ende nuk e kanë sjellë lëndën tregon se ata  nuk kanë lëndë. Kjo është vetëm lojë politike.

Për çfarë loje politike e keni fjalën? Mendoni se ata duan t’ju mbajnë sa më gjatë këtu nën masa arresti, apo qëllimi vërtet është ekstradimi në Beograd?

Jo, nuk besoj që ekstradimi është temë. Të gjithë duhet ta kuptojnë se Serbia nuk ka jurisdiksion mbi qytetarët e Kosovës dhe mbi mua. Unë jam i Kosovës, e Serbia nuk ka kurfarë jurisdiksioni në Kosovë. Juridiksionin e ka Kosova. Unë e kam nderuar ligjin ndërkombëtar. Pra jam prej atyre që e ka nderuar ligjin nacional dhe ligjin ndërkombëtar, duke iu përgjigjur vullnetarisht ftesës për proces në Tribunal. Qasja e tanishme e Serbisë është një ofendim ndaj ligjit ndërkombëtar, por edhe ndaj Interpolit dhe parimeve të organizatave ndërkombëtare.

Intervista e plotë është në këtë LINK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button