Sa para harxhon Komuna e Çairit dhe për çfarë? Komuna shkel ligjin, Mexhiti në heshtje

Sa para harxhon Komuna e Çairit dhe për çfarë? Sa para investohen për projekte kapitale, për sigurim të parkingjeve apo parqeve, ose në aktivitete më të thjeshta në të mirën e qytetarëve, pastrimin e dëborës nga rruga?
Në këtë pyetje, redaksia e Portalb.mk nuk ka përgjigje ditë me radhë edhe pse të kontaktuar vazhdimisht. Kjo komunë është duke shkelur Ligjin për vetëqeverisje lokale meqë askund nuk siguron të dhëna publike për projektet e realizuara si dhe për paratë e shfrytëzuara në vitin 2016. Të dhëna nuk ka në uebfaqe e as në faqen zyrtare në Fejsbuk, ndërsa dhe kryetari Izet Mexhiti hesht, shkruan Portalb.mk.

Kushtet e vështira dimërore, krahas asaj që Komunën e Çairit e gjeti të papërgatitur sa i përket mirëmbajtës së rrugëve pas reshjeve të borës, ua rëndoi banorëve qarkullimin edhe më shumë pasi që në rrugët dhe trotuaret që gravitojnë në këtë komunë ka numër të madh të veturave të parkuara në to.

Rrugët para Komunës Çair
Rrugët para Komunës Çair

Duke dashur që të kuptojmë se nëse Komuna e Çairit ka realizuar ndonjë projekt për të zvogëluar numrin e veturave të parkuara në rrugë dhe trotuare, ne hasëm në një tjetër anomali ende më të madhe të kësaj komune. Mungesa e të dhënave publike në lidhje me projektet e realizuara dhe buxhetin e realizuar për vitin 2016. Madje, vetura dhe autobusë të parkuar ka në vetë rrugën para kësaj komune.

Vetura të parkuara në rrugë
Vetura të parkuara në rrugë

Të kontaktuar disa ditë me radhë dhe madje të vizituar nga gazetarja jonë, kjo Komunë me ngul refuzon të deklarohet në pyetjet më të thjeshta.

Andaj, duke mos ofruar të dhëna publike për projektet e realizuara dhe mënyrën e realizimit të buxhetit, kjo komunë bëri edhe shkelje të Ligjit për vetëqeverisje lokale e ku thuhet:

Neni 8 i Ligjit për vetëqeverisje lokale:

Informimi i publikut

(1) Organet e komunës, komisionet e këshillit dhe veprimtaritë publike të themeluara nga komuna, janë të obliguara pa kompensim t’i informojnë qytetarët për punën e tyre, si dhe për planet dhe programet që janë me rëndësi për zhvillimin e komunës, në mënyrë të përcaktuar me statutin.

(2) Komuna është e obliguar qytetarëve t’iu mundësojë qasje në informatat themelore për shërbimet që ua siguron, në mënyrë dhe sipas kushteve të përcaktuara me statutin.

Mungesa e të dhënave publike Komunën e Çairit e paraqet si jo-transparente edhe përballë komunave të tjera të Maqedonisë.

Nga hulumtimi i Qendrës për Komunikim Qytetar “CIVICA mobilitas”, për atë se sa janë përmbushur përgjegjësitë për informim publik, Komuna e Çairit gjendet në vendin 74 me indeks të transparencës aktive (ITA) prej 28.4% ndërsa, në vendin e parë është Komuna e Kriva Pallankës me ITA prej 88,1% kurse, në vendin e dytë dhe të tretë janë Komuna e Velesit dhe Manastirit për ITA prej 83.6%.

Komuna e Kriva Pallankës, Velesit dhe Manastirit kanë indeks aq të lartë të transparencës aktive pasi që japin informata për buxhetin dhe financat. Këto komuna mundësojnë qasje deri te informatat, japin informata për kompetencë dhe shërbime komunale dhe se i kanë të pranishme të dhënat për buxhetin dhe transparencën fiskale.

Transparenca aktive nënkupton shpallje të informatave me vetiniciativë të komunave, pa marrë parasysh se a ka parashtruar ndonjë qytetar apo jo kërkesë për të njëjtat. Ligji për transparencë aktive të institucioneve është parashtruar në Ligjin e vetëqeverisjes lokale.

Rrrugët në Çair

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. ju pergezoj per punen qe beni si gazetare dhe si portal ne lidhje me interesimin per kushtet ne kete komune qe udhehiqet nga shqiptaret dhe pa asnje kusht elementar per jetese. ju lus qe me teper te shkruani dhe te interesoheni ne menyre qe te sensibilizohet edhe opinioni se kjo komune nuk i ngjan nje komune urbane. duhet te dilet ne teren dhe te identifikohen mangesite dhe dobesite ne gjithe aspektet ne kete komune.

    ju faleminderit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button