Presidenti i Gambias largohet, e le bosh arkën e shtetit

Pas javësh tensioni politik dhe civil që thuajse sollën shpërthimin e luftës civile dhe ndërhyrjen ushtarake të fqinjëve afrikanë, presidenti historik i Gambias, Yahya Jammeh pranoi humbjen në zgjedhje dhe arriti një marrëvëshje politike për t’u larguar nga vendi, duke i hapur rrugën rivalit të tij politik, Adama Barrow, transmeton Top Channel.

Por, duket se Jammeh nuk iku me duart bosh, pasi është zbuluar se mungojnë të paktën 11 milionë dollarë nga arka e shtetit, pas mbikqyrjes paraprake. Zëdhënës të Presidentit të ri, i cili e bëri betimin jashtë vendit, pasi rivali i tij nuk pranonte të linte postin, thanë se hetimet e mëtejshme ka mundësi të zbulojnë se gropa në buxhet është shumë më e madhe.

Pas 22 vitesh në pushtet, Yahya Jammeh, u detyrua të largohej, pasi vetë as që i shkonte mendja ta bënte, megjithëse humbi zgjedhjet. Hyrja brenda kufijve e ushtrive të tjera afrikane që ishin zotuar ta largonin me forcë, duket se ishte faktori kryesor që e bëri t’ia mbathte, por Jammeh nuk ka dyshim se iku si një njeri i pasur, megjithëse i mposhtur.

Zyrtarët e rinj të mbërritur në vend dhe që zbuluan zhdukjen e parave thanë se arkat e shtetit janë praktikisht bosh dhe se kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Financave dhe banka qendrore e vendit. Megjithëse autoriteteve të aeroportit kryesor të vendit i ishte thënë që të lejonin vetëm Presidentin të largohej dhe të mos merrte sende me vete, mediat raportojnë se veç valixheve pa fund, ai u shoqërua edhe një nga flotë makinash luksoze që u larguan bashkë me të drejt Guinesë Ekuatoriale, ku duket se ai do të shijojë një ekzil mjaft luksoz.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button