Zgjedhje pa lezet, në okupim të qetë

Për definimin e momentumit politik të një vendi me rëndësi është edhe konstatimi i gjendjes aktuale politike dhe shoqërore. Kjo do duhej të ishte kështu edhe për Maqedoninë në tërësi dhe për qytetarët shqiptarë të këtushëm, në veçanti. Se Maqedonia nuk është më as shtet e as shoqëri e rëndomtë flet ndoshta më shumë fakti se momentumi politik i saj sajohet me shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duke ndikuar me këtë në gjendjen aktuale. Jo siç do ishte normal kur gjendja të konvokonte zgjedhje për zgjidhje të saj. 

Ashtu BDI thërret në zgjedhje që votuesit e saj të i thonë po diçkaje që ortaku qeverisës i saj nuk mundi të i thotë po e as jo, e nga ana tjetër DPMNE thërret në inat që populli i saj të thotë jo diçkaje që ata vetë nuk mundën të i thonë as jo e as po. Por, dyja e bëjnë këtë me një dozë shumë konstruktive për njëra tjetrën. E para duke u ngutur që zgjedhjet parlamentare ti bën në rrethin e dytë të presidencialeve me çka i siguron daljen e nevojshme për tu përmbushur censusi, në atë për të cilën BDI vet thërret që të mos bëhet?! Kurse DPMNE-ja duke folur me inat ndaj tërë një populli, duke siguruar dalje të votuesve shqiptarë, siç edhe ia mundësoi më parë këtë ortakut të vet në zgjedhjet lokale në Kërçovë. Nga ana e tretë, partitë opozitare PDSH dhe LSDM vijnë në pozicion që ti thonë PO, diçkaje që vet ata do duhej të kishin kërkuar që moti. LSDM shkaku se ky shtet prej fundit të vitit 2012 kur u delegjitimua kuvendi, nuk ka më parlament kurse PDSH sepse partia shqiptare në pushtet nuk bën politikë dhe si e tillë i bën shqiptarët politikisht të papërfaqësuar në ekzekutiv.

Më e keqja në krejt këtë është se në Maqedoni mungon ana e katërt, shoqëri dhe opinion që do organizonte ose shprehte kundërshtim për këto zgjedhje pa lezet. Gjë kjo që bën që fjala okupim në titull të mos jetë edhe aq e vrazhdë për definim të gjendjes momentale në vend. Fjalë kjo e cila edhe më mirë përshkruan gjendjen e qytetarëve shqiptarë që nuk kanë mundësi zgjedhjeje. Thjeshtë pasi dy opsionet e mundshme i kanë të njëllojta për funksionim politik. Duke mos përbërë ndonjë dallim për qytetarët nëse dikush bën kriminalitet me nijet të politikës apo politikë me nijet të kriminalitetit, kur asnjëra prej tyre nuk u mundëson funksionim politik minimal për të dalë prej këtij okupimi politik të qetë. 

Nga ana tjetër edhe mosdalja në votime, që shqiptarët me të madhe zaten e bëjnë në shumë cikluse zgjedhore, në këtë sistem nuk është zgjidhje. Atij opsioni i mungon kontrolli i pavarur në institucione që të mund të konkretizohet si bojkot. Ndërkohë, shkaku i ndarjes së njësive zgjedhore, sistemi dhe zgjedhjet legjitimohen edhe me përqindje ende më të vogël të daljes se të tanishmet, të cilat qëmoti janë shumë nën gjysmën e elektoratit shqiptarë. Legjitimitet që mund të sigurohet vetëm nga aktivistë partiak dhe qytetarë tjerë që edhe kështu, pa lezet, do votojnë. 

Mbetet të shihet se çfarë do pjellin deri në fund këto dy palë zgjedhje në Maqedoni pasi nuk përjashtohet mundësia që me një kombinim të frikës së tepruar tek votuesit maqedonas dhe mllefit të artikuluar ndër votuesit shqiptarë të dale ndonjë rezultat i çuditshëm për funksionim të mëtejmë të këtij okupimi politik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button