Strasburgu hap dosjen e 21 Janarit, kërkon prova shtesë në Kryeministri për vrasjen e 4 qytetarëve

Avokati i familjarëve të viktimave të 21 Janarit 2011, Dorjan Matlija, i cili i ka ndjekur çështjen në fjalë në Gjykatën e Strasburgut, deklaron se kjo gjykatë në një farë mënyre ka kërkuar rihapjen e dosjes së 21 Janarit. Matlija thotë se ditët e fundit gjykata e ka marrë në shqyrtim çështjen dhe ia ka kthyer atë qeverisë shqiptare, e cila përfaqësohet nga avokatja përkatëse. Sipas tij, tashmë është në dorën e avokates së qeverisë për të gjetur prova të tjera të reja për të bërë në këtë mënyrë që dosja e shumëpërfolur e 21 Janarit të hapet edhe një herë. “Fillimisht, ne pritëm Gjykatën e Lartë që të kthente edhe një herë çështjen për rishqyrtim. Deri sa kjo nuk ndodhi, ne prej kohësh i jemi drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Lajmi i mirë është se kjo e ditët fundit e ka marrë çështjen në shqyrtim dhe ia ka kthyer qeverisë shqiptare, të cilës i janë kërkuar prova shtesë për të rihapur edhe një herë hetimet. Vërej një reflektim nga ana e qeverisë në këtë pikë pasi është shprehur e gatshme për të ndihmuar në këtë drejtim”, deklaroi avokati Matlija në një prononcim për gazetën “SOT”, transmeton Agjensia e Lajmeve Sot News.

Sipas tij, fakti që qeveria ka vendosur të veprojë dhe t’i përgjigjet kërkesës së Gjykatës së Strasburgut është një tregues që kjo çështje mund të rihapet edhe një herë. “Nëse gjithçka shkon sipas planit tonë, ne besojmë se Gjykata e Strasburgut do të vendosë rihapjen e dosjes së 21 Janarit”, thotë Matlija. “Në Gjykatën Evropiane do të shqyrtohet kuadri ligjor i kohës, planet operacionale të menaxhimit të demonstratës, si dhe problematika e procesit penal, i kritikuar si një proces jo i rregullt ligjor. Vendimet e Gjykatës Administrative, përmes një arsyetimi të drejtë, pranuan se vrasjet e 21 Janarit ishin krim shtetëror dhe Garda e Republikës është përgjegjëse për vrasjen e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës, Faik Myrtaj, si dhe djalit të tij Bardhosh Myrtaj. Qeveria reagoi pa vonesë në ekzekutimin e vendimeve çka jep shpresë se mund të ketë vullnet që vëmendja të drejtohet edhe nga drejtësia e mohuar në procesin penal, për të parë mundësitë e hetimit të çdo detaji të anashkaluar deri tani”, thotë Matlija.

Mbledhja e provave

Por pavarësisht vullnetit të shprehur në ditët e fundit, duke përmendur këtu edhe fondin për shpërblimin e të afërmve të viktimave të 21 Janarit, avokati që përfaqëson ata në Gjykatën e Strasburgut thekson gjithashtu se gjatë kohës në pushtet qeveria mund të kishte bërë më tepër në sigurimin e provave që do të sillnin hapjen e dosjes në fjalë. “Natyrisht gjatë këtyre viteve në pushtet, qeveria mund të kishte bërë më tepër në mbledhjen e provave të reja, të cilat do të ndihmonin në rihapjen e hetimeve. Mund të ishin kontrolluar edhe një herë regjistrat për të parë hyrje-daljet. Mund të ishin pyetur persona të tjerë për të ndihmuar në këtë proces, dhe kjo për hir të së vërtetës deri tani nuk është bërë. Vetëm ditët e fundit vërehet një lëvizje nga ana e qeverisë. Këtu dua të theksoj edhe një fakt tjetër që ka të bëjë me Prokurorinë. Kjo e fundit, duke pasur parasysh specifikën edhe rëndësinë e çështjes mund të kishte ndihmuar në këtë drejtim, pra në gjetjen e elementëve të rinj që do të sillnin hapjen e çështjes, por diçka e tillë, pra një bashkëpunim gjatë gjithë kësaj kohe nuk është parë”, ka deklaruar “, Dorian Matlija për gazetën “SOT”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button