Sinjalet e BDI-së, LSDM më afër Platformës së partive politike shqiptare

Dallimet në agjendat politike po e pamundësojnë përparimin e bisedimeve mes BDI-së dhe Nikolla Gruevskit, mandatarit për ta formuar Qeverinë nga VMRO-DPMNE. Kjo ka bërë që BDI të ndërrojë anë dhe të niset drejt selisë së LSDM-së për ta testuar këtë të fundit sa është e gatshme të pranojë kushtet e BDI-së, shkruan Portalb.mk.

Nga këndvështrimin i politikologëve kjo situatë lexohet si shpërputhje mes VMRO-se dhe BDI-së, si dhe një testim i radhës për LSDM-në dhe një gjasë për koalicion mes BDI-së dhe LSDM-së.

“Raportet me VMRO-në dhe Aleancën që u nënshkrua nga partitë politike shqiptare i obligoi që të takohen, por ato takime gati më tepër bëhen publike nëpërmes deklaratave dhe nëpërmes tërheqjes së vijave të kuqe. Unë mendoj se ato takime kur bëhen tet-a-tet janë formalitet në të cilat palët s’kanë çka t’i thonë njëra tjetrës, për arsye se VMRO nuk ka ofertë për partitë shqiptare, ndërkaq BDI nuk ka ofertë për kërkesat maqedonase. Kur vihen këto vija të kuqe, negociatat janë të rëndë dhe është e qartë se koalicion mes VMRO-së dhe BDI-së nuk do të ketë”, sqaroi për Portalb.mk. analisti politik Alajdin Demiri.

Demiri vlerëson se takimi me LSDM është test që duhet të verifikojë se a do t’i mbajë LSDM premtimet e veta.

“Fakti që hesht, është strategji e LSDM, që mos t’i jep shkas VMRO-së për të sulmuar. Unë mendoj se këto takime do të mund të rezultojnë me koalicion. Por, paraprakisht Gruevski duhet ta dorëzojë mandatin dhe mandati t’i dorëzohet Zoran Zaevit. Nuk përjashtohet mundësia, duke i njohur strategjitë e deritanishme të VMRO-DPMNE-së, që të përdoret prap kryetari i shtetit, i cili në këtë situatë të këtillë të delegjitimuar mund të jep dorëheqje që të mos ketë kush kujt t’i jep mandate”, deklaroi për Portalb Demiri.

Politikologu Murat Aliu, thotë se është i zhgënjyer nga jotransparenca e partive politike në të gjithë këtë proces para formimit të qeverisë, dhe duke u bazuar në këtë, sipas tij, është pak sa vështirë të kemi një pasqyrë të saktë se çka në të vërtet po ndodh.

“Sa i përket formimit të qeverisë së re duhet pranuar se partia shqiptare BDI është çelësi i saj, por në të njëjtën kohë kjo parti ka pozicionin më të vështirë në gjithë këtë proces, për faktin se hyrja në qeveri me VMRO-në do të thotë fund për atë si subjekt politik dhe zhgënjim totalë fillimisht për votuesit e saj por edhe për të gjithë shqiptarët. Ndërsa koalicionimi me LSDM-në do të thotë thyerje të parimit të cilat ata vetë me vite me radhë kanë insistuar që të respektohet, pra, parimi i formimit të qeverisë ndërmjet partive politike fituese në dy kampet, në atë maqedonas dhe shqiptarë”, tha për Portalb Aliu.

Nisur nga analizat dhe deklaratat e fundit, shton më tutje Aliu, të disa funksionarëve të BDI-së, mesazhin e popullit të cilin e dha në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe konstelacionet politike, duket që BDI është e interesuar të koalicionojë me LSDM-në

“Kjo ndodh kryesisht për dy arsye; e para është qëndrimi më i përshtatshëm ose më i butë i LSDM-së ndaj kërkesave të cilat u parashtruan në platformën e përbashkët të partive politike shqiptare, e dyta, dalja në skenën politike e partive të reja, që kanë obliguar BDI-në të jetë më e përgjegjshme”, pohoi për Portalb Aliu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button