VMRO-DPMNE sulmon organizatat qytetare për ta mbuluar ballafaqimin me krimin e vet!

Organizata të ndryshme qytetare janë në shënjestër të VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit me qëllim për ta defokusuar opinionin nga problemet e vërteta në Maqedoni, procesin e formimit të Qeverisë së re dhe punës së Prokurorisë Speciale Publike e cila merret me krimet e kësaj strukture në pushtet. Gruevski nuk mundet të përballet me vullnetin e qytetarëve që ishin për ndryshime, ai së fundmi ka shpikur një term të ri “desorosizim” duke mos zgjedhur mjete për të qëruar hesapet me gjithë ata që e kritikojnë dhe nuk mendojnë si ai. Kështu thonë përfaqësuesit e organizatave qytetare, shkruan Portalb.mk.

Një pushtet i shëndoshë do të shfrytëzonte kritikat e sektorit jo qeveritar për te përmirësuar punën e vet, do te ndërtonte dialog konstruktiv me të dhe do të shfrytëzonte kapacitetin e sektorit joqeveritar për të krijuar politika në shërbim të qytetarëve.

LEXO: Ç’do të thotë në origjinal SOS: “Na shpëtoni shpirtrat”, “Na shpëtoni lëkurën”…nga Sorosi?

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

Drejtori i Fondacionit Metamorphosis, Bardhyl Jashari në deklaratën e tij dhënë për Portalb thekson se organizatat jo qeveritare në Maqedoni luajnë një rol te rëndësishëm në mbrojtjen e interesave te qytetareve.

“Organizatat qytetare promovojnë vlera të barabarësisë, sundimit te se drejtës dhe lirisë. Të gjitha akuzat, të cilat i bëhen sektorit jo-qeveritar, janë të pabaza dhe po që se ka vullnet të mirë mund lehtë të vërtetohen. Për ndikimin e OJQ-ve mund të flasin të tjerët, por synimi jonë është që të kemi ndikim dhe të vëmë interesat e qytetarit në qendër te vëmendjes së politikave në vend. Ky sulm ndaj OJQ-ve është tendence për të larguar vëmendjen nga problemet reale të cilat i ka shkaktuar qeverisja e keqe me shtetin, dhe një përpjekje për të bërë me faj sektorin jo qeveritar për problemet që i ka shkaktuar keqqeverisja”, tha Jashari.

Lufta kundër Sorosit, shton më tutje ai, do të ishte qesharake sikur të mos ndodhte në një kohë dhe situatë tragjike në të cilën gjendet Maqedonia.

“Të formosh lëvizje kundër Sorosit në Maqedoni është absurde. Fondacioni Soros në Maqedoni është një prej shumë donatorëve në Maqedoni dhe larg asaj që është financuesi më i madh. Në Maqedoni ka edhe shumë përkrahës të tjerë të sektorit jo qeveritar të cilët janë edhe shumë më të mëdhenj. Prandaj, të drejtohet gishti ndaj fondacionit Soros pa asnjë argument, vetëm me “spekulime të bazuara në teori të konspiracionit është vetëm, përsëris, një tendencë për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta. Në shtete normale, kjo do të zgjidheshte me dialog publik, me konfrontim të argumenteve dhe jo me akuza dhe etiketime të pabaza”, deklaroi për Portalb Jashari.

Cila kërkesë e sektorit jo qeveritar nuk është e drejtë dhe legjitime?- pyet Jashari.

“Kërkesa për drejtësi, barazi, sundim të ligjit? Lufta korrupsionit, shëndetësi dhe arsim më të mirë? Nuk duhet të vijë Sorosi për të na treguar se për çfarë kemi nevoje ne. Nëse dikush nuk pajtohet me këto kërkesa apo ka mendime ndryshe, mund t’i paraqet argumentet, por iniciativa kundër Sorosit nuk kontribuon në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”, shprehet ai.

“Përputhja e vlerave dhe e aktiviteteve të sektorit joqeveritar me partitë politike mund të ndodh, por me rëndësi është që sektori jo qeveritar është konzistent në kërkesat e tij dhe në vlerat të cilët i promovon pa marrë parasysh cila garniturë politike është në Qeveri. Një pushtet i shëndoshë do të shfrytëzonte kritikat e sektorit jo qeveritar për te përmirësuar punën e vet, do te ndërtonte dialog konstruktiv me të dhe do të shfrytëzonte kapacitetin e sektorit joqeveritar për të krijuar politika në shërbim të qytetarëve”, përfundon drejtori i Metamorphosis Bardhyl Jashari.

LEXO: Pushteti keqpërdor DAP-in kundër Sorosit

Fani Karanfillova-Panovska
Fani Karanfillova-Panovska

Fani Karanfillova Panovska, drejtore ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur vlerëson se gjuetia e strukturës qeverisëse të VMRO-DPMNE-së dhe, siç i quan ajo kuazi shoqatave kundër Fondacionit Shoqëri e Hapur- Maqedoni dhe organizatave qytetare në përgjithësi vjen pas e mossuksesit të VMRO-së në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Më 11 dhjetor qytetarët u deklaruan për ndryshime. Prandaj, ky rezultat i zgjedhjeve dhe aktivitetet e qytetarëve në rrugë për të kërkuar drejtësi nuk i pelqenjë Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së, për këtë arsye duke mos pasur me cka te merren drejtojnë gishtin ka lëvizja progresive shoqërore në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Karanfillova Panovska.

Uranija Pirovska
Uranija Pirovska

Uranija Pirovska, nga Komiteti i Helsinkut veçon se sulmet ndaj sektorit civil filluan para zgjedhjeve.

“Sulmet mediatike vazhdojnë. Aktivistët e sektorit civil etiketohen si tradhtarë, respektivisht si të paguar nga Soros për ta rrënuar Maqedoninë. Kjo nuk është dicka e re, këto sulme u theksuan nga Revolucioni i larmë dhe po vazhdojnë. Për një pjesë të sulmeve nga mediat që janë pro qeveritare kemi ngre edhe kallëzim penal, sepse janë keqpërdorur të dhëna personale. Kallëzimi penal është ngre nga 13 përfaqësues të organizatave qytetare. Për mua retorika e fundit është dëshmi se partitë në pushtet i keqpërdorin institucionet e sistemit që të përplasen me ata që i kritikojnë. Të gjithë dëgjuam materialet që i publikoi opozita, ku shumë qartë shihet se si janë keqpërdorur institucionet në interes të funksionarëve në pushtet”, u shpreh për Portalb, Pirovska.

LEXO: Ish deputeti i VMRO-së, Ratko Dimitrov – “sorosoidi” më i madh në Maqedoni

Bojan Mariçiq
Bojan Mariçiq

Nga kënvdështrimi i Bojan Mariçiq, nga Qendra për studime evropiane, ky është një proces me synim defokusimin e opinionit nga formimi i Qeverisë së re dhe punës së Prokurorisë Speciale Publike.

“Janë sulme dhe nënçmime të pabaza anti demokratike ndaj organizatave qytetare, të cilat e kryejnë rolin demokratik të kritikës kundër pushtetit dhe luftojnë për interesin qytetar. Me këtë gjueti, VMRO-DPMNE nënvlerëson mijëra qytetar që janë të zgjuar, që protestuan për drejtësi, ndryshime dhe kërkuan përgjegjësi nga pushteti. Edhe më shumë, nënvlerësohen mbi 600 mijë qytetarë që votuan pro ndryshimeve më 11 dhjetor”, sqaroi për Portalb, Mariçiq.

 

Ndryshe, Qeveria ka ndarë shumë më shumë para për shoqërinë civile se sa Fondacioni Shoqëri e Hapur (FSHH i quajtur shkurt SOROS) në Maqedoni.

Drejtoresha e FSHH, Karanfillova-Panovska, shpjegon se në 25 vitet e ekzistimit, Fondacioni në Maqedoni, ka harxhuar mbi 145 milionë dollarë të cilat kanë përfunduar në institucionet e Maqedonisë. Vetëm në periudhën 2011-2016, mbi 32 milionë dollarë janë ndarë për arsim.

“Pas çdo palë zgjedhjes VMRO-DPMNE krijon armiq imagjinar në Maqedoni. FSHH pas zgjedhjeve siç duket ishte zgjedhur që të jetë subjekti më ashpër i sulmuar, për arsye se kur dikujt nuk i shkojnë punët si duhet, është e nevojshme që t’ia drejtojë gishtin dikujt, që ta tërheqë vëmendjen e opinionit, pasi që nuk e arriti suksesin e dëshiruar”, thotë Karanfillova-Panovska.

Përkundër kësaj, Qeveria shuma të mëdha ka ndarë për organizata për ndërtimin e përmendoreve, ndërkaq vetëm për 10% nga paratë e sektorit joqeveritar ka pasur thirrje publike.

Shuma më e madhe e mjeteve të cilat Qeveria i ka ndarë për shoqërinë civile, vijnë nga Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht 2 milion euro dhe nuk ka pasur thirrje publike. Pastaj vjen Ministria për Punë dhe Politikë Sociale me 1.5 milion euro.
Shumat të cilat janë ndarë janë të ndryshme, nga 50 mijë euro deri më 800 mijë euro, ndërkaq problemi kryesor është se nuk dihet se si harxhohen paratë.

LEXO DHE:

VMRO-DPMNE paralajmëron “desorosizimin” e SHGM-së, ja reagimi i gazetarëve

Gruevski në “mega- intervistën” Sorosin e përmend 53 herë!

Gruevski zbulon ilaç për Soros, aktivisht pushon dhe lexon Trump

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button