Osmani: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë lojë e partive

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë lojë e partnerëve të koalicionit qeveritarë”, kështu shprehet zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani duke e argumentuar këtë me kronologjinë e ngjarjeve politike të vitit të kaluar. 

Osmani me këtë rast përkujtoi deklaratën e kryeministrit Gruevski dhënë më 24 gushtit të vitit të kaluar, i cili kërkoi që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare si alternativë të zhbllokimit të krizës politike në vend të krijuar me ngecjen e punë së grupit punues për zbatimin  rekomandimeve të komisionit ad-hok, për ngjarjet e 24 dhjetorit. Propozim ky i cili u refuzua nga ana e BDI-së nën arsyetimin se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, transmeton Alsat M.

“Në rast se ju kujtohet vitin e kaluar kishte një thirrje publike prej kryeministrit Gruevski për zgjedhje të parakohshme për më 13 tetor, ju e dini se asokohe BDI refuzoi dhe pengoi  mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sepse ishim të bindur se duhet të lihet hapësirë për të fokusuar energjinë për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe për të lëvizur  integrimet tutje, dhe atëherë publikisht  thamë se do të shqyrtojmë këtë mundësi  me zgjedhjet presidenciale, nëse deri atëherë nuk do ketë një lëvizje përpara  dhe eventualisht cili do të jetë epilogu për idenë tonë se Maqedonia duhet të ketë presidentin e parë konsensual”, u shpreh për Alsat-M, Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Nga BDI-ja thonë se sikur të bëhej fjalë për lojëra politike mes partnerëve të koalicionit qeveritar zgjedhjet do të pranoheshin atëherë dhe jo tani. Nga kjo parti mbeten në qëndrimin se kërkesa ka të bëjë me nevojën e arritjes së një marrëveshjeje të re për bashkëqeverisjeje për të ndryshuar kushtetutën lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe zhbllokimin e procesit integrues. Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti në emisionin ‘Rruga Drejt’ tha se në shtator vendi mund të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse nuk zhbllokohet në veçanti procesi eurointegrues.

Lajme të ngjashme

Back to top button