BDI dorëzoi kërkesën për shpërbërje të Parlamentit

Grupi i deputetëve të BDI-së sot ka ngritur nismë për shpërbërjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Shkak për këtë, siç thonë nga partia, është mospranimi i propozimit të tyre për kandidat konsensual presidencial nga ana e partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE.

Nisma e BDI-së është në pajtim me vendimet e Kryesisë qendrore të partisë të miratuara në seancë të enjten në Reçicë të Vogël. BDI-ja kumtoi se nuk do të propozojë kandidat në zgjedhjet presidenciale, por se edhe nuk do të bëjë thirrje për bojkot.

Ndërkohë, në Sallën Universale mbahet Konventa e VMRO-DPMNE-së, në të cilën partia qeveritare duhet ta zgjedh kandidatin e saj për president.

Për kërkesën e BDI-së për shpërbërjen e Kuvendit dhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare mbrëmë debatoi Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së. Paraprakisht, kryetari i partisë Nikolla Gruevski pati takim me liderët e partive më të vogla politike, të cilat janë partner i saj i koalicionit.

Nëse arrihet marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, më shumë mundësia e përmendur në opinion është që ato të mbahen më 27 prill, paralelisht me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në rast të këtillë, Kuvendi duhet të vetëshpërndahet në javën e parë të marsit, e ato të shpallen në periudhën prej 10 deri më 13 mars. 

Lajme të ngjashme

Back to top button