Maqedonia hyn në borxh edhe për 6.5 milionë euro
6,5 milionë euro do të jetë huaja e re që do të marrë Ministria e Financave përmes ankandit të letrave me vlerë me normë interesi prej 2,1 për qind. Shuma e njëjtë do të duhet të kthehet menjëherë ditën e nesërme në vlerë të njëjtë. Ky ankand është i dyti me radhë nga fillimi i këtij viti, njofton TV21.
Javën e kaluar Qeveria mori huanë e parë të vitit në vlerë prej 31,7 milionë euro, gjegjësisht rreth 16 milionë euro më shumë se shuma që si borxh i vjetër duhej të kthehej një ditë më vonë. Shuma e përgjithshme e borxheve të vjetra që janë për janarin e këtij viti është 38,54 milionë euro.
Goran Rafajlovski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thotë se është duhet të bëhet një analizë e saktë dhe transparente lidhur me huamarrjen, për shkak se këto mjete nuk duhet të shkojnë për shpenzime joracionale.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë paraparë 18 ankande. Sipas të dhënave të fundit, Maqedonia ka borxh publik prej 4,76 miliardë euro apo 50,6 përqind nga Bruto Prodhimi Vendor.