Rusia do dialog me SHBA-në për Stabilitetin Strategjik dhe Armët Bërthamore

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Moska pret angazhim në dialog me administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump, në çështje që kanë të bëjnë me stabilitetin strategjik, përfshirë edhe atë për armët bërthamore, pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar, shkruan Rel, përcjell Portalb.mk.

Duke folur më 17 janar në konferencën vjetore me media në Moskë, Lavrov ka thënë se tema të caktuara të diskutimit mund të përfshijnë edhe atë për armët supersonike, mbrojtjen raketore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan ta ndërtojnë në Evropë, armatimin e hapësirës dhe testimet bërthamore.

Ai ka thënë se Rusia është e gatshme të takohet me administratën e Trumpit për diskutimin e këtyre temave, pasi Trump të nis detyrën.

Lavrov ka thënë se Moska nuk i ka interpretuar deklarimet e Trumpit si ofertë për heqjen e sanksioneve amerikane si ndëshkim për veprimet ruse në Ukrainë dhe gjetkë, në këmbim të marrëveshje për reduktimin e armëve bërthamore.

Në një intervistë dhënë gazetës londineze, The Times dhe gazetës gjermane Bild, të publikuar më 15 janar, Trump ka thënë: “Ata kanë vënë sanksione ndaj Rusisë – të shohim nëse mund të arrijmë disa marrëveshje të mira me Rusinë. Njëra prej tyre, mendoj se armët bërthamore duhet të zvogëlohen dhe reduktohen në mënyrë substanciale”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button