Organizatorët e marshit kundër varfërisë kërkojnë pjesëmarrje masive

Iniciativa “8 Shtatori” e cila kohë më parë dorëzoi propozim masa deri tek qeveria për ballafaqimin me varfërinë në vend, nesër do të organizon marsh duke filluar nga Parlamenti drejt Qeverisë.

Xhelo Hoxhiq bëri të ditur se Qeveria ende nuk u është përgjigjur kërkesës së tyre dhe për këtë shkak fton gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e këtij marshi.

“Ne bëmë propozim disa ditë më parë, kurse nga Qeveria nuk ka asnjë përgjigje. Varfëria në Maqedoni është ekstreme, në vend se të zbutet varfëria dhe të ndihmohen rastet sociale Qeveria krijon projekte të panevojshme siç është ‘Shkupi 2014’, në të cilin u investua shumë”, tha Hoxhiq.

Këtë iniciativë e përkrahin në masë të madhe edhe qytetarët shqiptarë, ku aktivisti shqiptar Petrit Saraqini njofton se edhe nesër në përkrahje do të ketë një numër të madh të shqiptarëve.

“Raste sociale kemi mjaft, andaj këtë iniciativë jo vetëm shqiptarët po të gjitha bashkësitë etnike e fetare në vend duhet ta përkrahin, sepse të gjithë meritojnë kushte më të mirë për jetesë”, tha për Portalb, Saraqini.

Ai shtoi se nesër pritet të ketë përkrahje masive në marsh.

Ndërkaq nesër duke filluar në orën 11 e 55 para Parlamentit do të mblidhen përkrahësit e kësaj iniciative të cilët organizojnë marsh deri tek Qeveria, e më pastaj organizohen koncert në afërsi të sheshit të Maqedonisë, në qendër të Shkupit.

Lajme të ngjashme

Back to top button