ANALIZË: Afrohen zgjedhjet lokale – ndotja nuk do të harrohet e as premtimet!

Temperaturat e ulët dhe era veriore në momente të caktuara e zvogëluan, mirëpo nuk e ndaluan ndotjen. Gjatë javës së kaluar, kur kishte temperatura polare, ndotja në disa rajone dhe komuna e arriti kulmin. Tetovarët mbesin në grupin e qytetarëve më të ekspozuar ndaj ndotjes, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Pikërisht në Tetovë sektori joqeveritar përgatit fushatë agresive në prag të zgjedhjeve lokale. Çka premtuan autoritetet lokale në vend për këtë temë, e çka realizuan?

Shumë premtuat, e çka realizuat – qytetarët u ngulfatën!

Në prag të zgjedhjeve lokale, një pjesë e organizatave joqeveritare mobilizohen. “Eco guerilla” nga Tetova përgatit fushatë. Nga kjo organizatë për Portalb.mk thonë se target do të jenë autoritetet lokale, gjegjësisht jo vetëm kryetarët e deritanishëm, pro edhe ata që do të dëshirojnë të ulen në karrigen e kryetarit të komunës në të ardhmen.

“Kyçe është pyetja se çka premtuan kryetarët e komunave gjatë fushatës zgjedhore, e çka realizuan pasi erdhën në krye të komunës. Do t’ua përkujtojmë pikërisht këtë – çka u premtuan qytetarëve. Për shembull, kryetarja e komunës, Teuta Arifi, premtoi se deri në vitin 2016 Tetova do të ketë transport publik, tani jemi viti 2017 e nga ky premtim nuk ka asgjë. Kjo fushatë nuk do t’i targetojë personat, por do të bartë porosi edhe për ara që pretendojnë të ulen në karrigen e kryetarit të komunës. Kjo do të thotë se qëllimi nuk është vetëm të ndëshkohet kryetarja e komunës, por t’u thuhet atyre që do të vijnë se me kë do të kenë punë – me qytetarë që do të luftojnë për jetë më të mirë”, thotë për Portalb.mk Arianit Xhaferi, nga organizata qytetare “Eco guerilla” nga Tetova.

Теtova mbetet në grupin e qyteteve më të ndotura, ku ajri është i ndotur disa herë mbi kufijtë e lejuar. Matjet treguan se gjatë periudhës së kaluar është regjistruar nivel i ndotjes pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2015. Në periudhën nëntor-dhjetor, furrat e”Jugohrom”-it u shkyçën, që sipas një pjese të ekologëve ndikoi drejtpërdrejtë në nivelin e ndotjes.

“Stacionet matëse treguan zvogëlim të ndotjes edhe deri në 50 për qind, mirëpo kjo nuk e ndryshoi pasqyrën se Tetova është njëri nga qytetet më të ndotura. Për zvogëlimin e ndotjes ndikoi edhe mbyllja e Jugohromit. Ne nuk jemi kundër fabrikës, por jemi kundër punës së saj pa instalimin e filtrave. Domethënë, nuk duam që ky kapacitet ekonomik të mbyllet, por të punojë sipas standardeve ekologjike”, thotë për Portalb.mk ekologu Xhaferi.

Në vitin 2015, Tetova u ngjit në vendin e parë në Evropë dhe në botë sipas nivelit të ndotjes së ajrit. Në nëntor të vitit 2016, Tetova ishte ranguar në vendin e nëntë. Sipas vlerësimeve jozyrtare, vetëm në Tetovë ka mbi 120.000 automobila. Poashtu, ky qytet i është nënshtruar invazionit të vazhdueshëm ndërtimor, ndërsa ekzistojnë edhe deponi të egra, të cilat e përkeqësojnë gjendjen edhe më shumë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 80% e sëmundjeve të mushkërive në botë janë rezultat i ndotjes nga veturat, kamionët dhe automjetet e tjera.

Reagime: ndotja ka, a do të ketë edhe përgjegjësi…

Në periudhën kur kombinatorikat për formimin e qeverisë janë në kulm, ndotja megjithatë ishte njëra nga top-temat që shkaktuan reagime të shumta. LSDM-ja e akuzoi pushtetin se nuk ka politika reale me të cilat do ta zvogëlojë ndotjen dhe ajo kërkon masa urgjente, e njëra nga to është gasifikimi i Shkupit, mirëpo edhe i qyteteve të tjera.

“Pushteti në largim deri tani nuk ndërmerr asgjë kundër ndotjes, dhe për këtë shkak spitalet janë përplot me të sëmurë kronikë, mirëpo edhe me fëmijë! Shëndeti i qytetarëve është në rrezik! Kemi edhe viktima. Edhe mjekët thonë se ndotja e ajrit është njëri nga shkaqet për komplikimet e shëndetit të njerëzve. Për ndotësit më të mëdhenj të sigurohen subvencione për filtra më bashkëkohorë. Subvencionimi i pajisjeve fotovoltaike për shfrytëzimin e diellit si burim natyror të energjisë. Ja, të enjten, në stacionin matës Manastir 2 janë matur madje 808 mikrogramë grimca PM10 në një metër kub, që është për 16 herë më shumë se sa kufiri i lejuar maksimal”, deklaroi për Portalb.mk në mes tjerash Pece Mirçeski, kryetar i Komisionit për mjedis jetësor dhe anëtar i Këshillit ekzekutiv të LSDM-së.

Partia DOM kërkon të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

“Në gjithë Maqedoninë maten prej 4 deri në 12 herë vlera më të larta të grimcave helmuese. Në Peking u ngrit alarmi gjatë ndotjes me 200 mikrogramë grimca PM10 në metër kub, ndërsa gjatë smogut të madh në Londër në vitin 1952, kur vdiqën mbi 4 mijë njerëz, ndotja ishte 400 mikrogramë në një metër kub” – thonë nga DOM-i.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se zgjidhja e problemit me cilësinë e ajrit kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse në të cilën partia është duke punuar, e jo propozime dhe projekte joreale. Kjo parti konsideron se LSDM-ja e manipulon publikun dhe propozon masa për gasifikim, ndërsa nga ana tjetër Kumanova dhe Strumica bëjnë pjesë në mesin e komunave më të ndotura në vend.

“Pikërisht nga këto komuna arrijnë informata për një numër të madh të qytetarëve që ankohen nga cilësia e ajrit dhe ndikimi i tij mbi shëndetin e njerëzve” – theksojnë nga VMRO-DPMNE-ja. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button