A po reteron BDI në parashtrimin e kushteve për Qeveri?

Bashkimi Demokratik për Integrim në fushatën zgjedhore propagandoi 5 përbetime, të cilat duhet të ishin kushtet për Qeverinë e ardhshme. Momentumi paszgjedhor solli Platformën e përbashkët mes partive politike shqiptare, ndërkaq po e njëjta parti së fundmi doli me qëndrim ku vërehet reduktimi i kushteve, pasur parasysh përmbajtjet e dy zotimeve të mëparshme, shkruan Portalb.mk.

Në pyetjen e Portalb se a po del nga Platforma e nënshkruar së bashku me “Aleancën për shqiptarët” dhe koalicionin “Rilindjen me Besë”, nga BDI përgjigjen se të gjitha pikat janë pjesë e kushteve.

“BDI mbetet në 5 përbetimet e saja: barazia gjuhësore, barazia ekonomike, vendimmarrja konsensuale, mandati i PSP-së dhe NATO. Të gjitha janë pjesë e kushteve të BDI-së”, tha për Portalb Bujar Osmani.

Portalb ka marrë mendimin edhe të koalicioneve politike nënshkruese të Platformës së përbashkët me BDI-në.

“Ne jemi konsekuentë në qëndrimet tona. “Deklarata e përbashkët e partive shqiptare për ne si Aleancë është një bazament për fillimin e negociatave me bllokun politik maqedonas”, thonë nga koalicioni “Aleanca për shqiptarët”.

“Është utopike të pritet ta mbajë fjalën një parti e cila nuk ka mbajtur asnjë premtim para votuesve shqiptarë dhe e cila nuk ka pasur potencë politike për t’i ndërruar as dy emra të shkollave”, deklarojnë nga koalicioni “Rilindje me besë”.

BDI, në kumtesën e fundit thekson se mbeten të përkushtuar për një shoqëri kohezive, të barabartë dhe të integruar në komunitetin euroatlantik dhe fton palët që mе përgjegjësi historike ti qasen proceseve mе të cilat po ballafaqohet vendi dhe rajoni duke vlerësuar në mënyrë racionale dhe jo të nxitur nga emocionet. Megjithatë nga VMRO-DPMNE kanë mendim ndryshe dhe nuk pranojnë “kushtet” e BDI-së, përfshirë edhe Platformën e partive politike shqiptare./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button