Fillojnë premtimet për punësime para zgjedhjeve

Partitë politike të cilat së shpejti pritet të fillojnë kampanjat zgjedhore, për zgjedhjet presidenciale, kanë filluar të bëjnë premtime për punësime.

Sipas një analizë të Dojçe Vele, premtimet për punësim do të sjellin 50 mijë vota.

Analistët shqiptarë vlerësojnë se kjo dukuri gjithmonë praktikohet para zgjedhjeve.

“Pa dyshim praktika e punësimeve të qytetarëve në prag të zgjedhjeve është mjaft prezent, sidomos te strukturat politike edhe pse kjo gjë me ligj është e ndaluar,por kalkulimet bëhen që nëpërmjet punësimeve të mblidhen vota”, tha Nasaer Zyberi, analist.

Ai shtoi se fatkeqësisht kjo taktikë për mbledhjen e votave, ka sukses.

“Kjo gjë ka pasur sukses, edhe pse nuk është demokratike, kjo dukuri shumë po praktikohet”, shtoi Zyberi.

Shkak për ekzistimin e kësaj dukurie negative në shoqëri, sipas analistit Albert Musliu është ekonomia e varfër dhe papunësia e madhe.

“Kjo dukuri ka qenë dhe do të jetë prezent edhe shumë kohë fatkeqësisht. Kësi lloj premtimesh dhe mbledhje votash do të ketë deri sa numri i papunësisë të jetë i madh dhe ekonomia e shtetit të jetë e varfër”, tha Musliu.

Ndërkaq sipas statistikave në Maqedoni ka 45 mijë persona të papunësuar deri në moshën 29 vjeçare, prej të cilëve sipas Agjencionit për punësim 25 mijë janë kërkues aktiv kurse te tjerët janë pasiv sa i përket kërkimit për punësim.

Lajme të ngjashme

Back to top button