Sa janë të aplikueshme kërkesat e Platformës shqiptare?

Mungesa e afateve dhe mosdhënia e detajeve se si do të realizohen kërkesat që dalin nga Platforma e përbashkët e subjekteve politike shqiptare, u jep të drejtën ekspertëve juridik që të njëjtin ta vlerëson si të paqartë dhe vështirë të realizueshëm, shkruan Portalb.mk.

Profesori universitar Osman Kadriu thotë për Portalb se disa çështje, kërkesa, kushte, në Platformën e partive politike shqiptare në brendinë e tyre është shumë vështirë të definohen nëse janë kushte, kërkesa apo konkluzione.

“E them këtë se disa prej pikave janë të paarsyeshme dhe nuk kanë vend që të gjenden në këtë Platformë. Për shembull, çështja e gjenocidit, është çështje abstrakte, nuk dihet për çfarë gjenocidi bëhet fjalë. Këto janë parti politike, duhet në platformë të parashikojnë, nëse punohet për përgjegjësinë e shtetit, dëmin që bën ky shtet të kërkojnë përgjegjësi dhe jo për ndonjë gjenocid të vitit 1912”, është shprehur Kadriu për Portalb.

“Nuk e dimë a është kusht apo kërkesë për debat. Pjesa më e madhe është e kushtëzuar me miratimin e akteve juridike, duke përfshirë Kushtetuën, ndryshimin e saj, për të cilat akte kërkohet 2/3 e votave në Kuvend. Ne këto korrelacione dhe këtë përbërje të parlamentit atë shumicë asnjëherë s’mund ta realizojmë. Në këtë rast duhet kompromis në mes të gjithë partive politike, që të sigurohet një shumicë e tillë, me qëllim që të bëhet intervenimi në Kushtetutë”, sqaron Kadriu.

Ai veçon se në platformë duhej të theksohen prioritetet, çfarë është prioritet për Qeverinë e ardhshme. “Nga shkaku se kur flasim për prioritete duhet të kemi parasysh, se pse ne shkuam në zgjedhje të parakohshme parlamentare- shkuam për ta zgjidhur krizën politike. Tani duhet të sigurohet shteti juridik dhe sundimi i së drejtës, është e papërgjegjshme prej partive politike që të mos vendoset kjo çështje si prioritet. Me zgjidhjen e krizës politike do të krijohen kushte për realizimin e çështjeve tjera, në qoftë se kriza politike nuk zgjidhet, fare nuk ka gjasa të realizohen ato që janë parashikuar në këtë platformë”, përfundon deklaratën e tij dhënë për Portalb profesori universitar Kadriu.

Edhe profesori universitar Mersim Maksuti pohon se për realizimin e kërkesave në Platformën e partive politike shqiptare duhet zgjidhje juridike.

“Për disa pika kërkohen votat e 2/3 në Kuvend. Në rastin konkret për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, duhet të ndryshojë Kushtetuta pastaj  të mund të sillet ligj në harmoni me Kushtetutën. Duhet të gjendet pajtim mes pozitës dhe opozitës, gjë që është shumë e vështirë. Deklarata në vete përmban paqartësi, nuk sheh afate dhe nuk përcaktohen detaje se si duhet rregulluar çështjet që parasheh platforma”, tha për Portalb Maksuti.

Për partitë politike kjo çështje nuk luan shumë rol. Në deklaratat e tyre të fundit partitë thonë se me rëndësi është hapja e debatit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe krijimi i kornizave se ka do të rrjedh politika shqiptare në të ardhmen./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button