Substanca kreative e gjuhës sarkastike

Brenda kërkesës së njohjes dhe mosnjohjes së njeriut shfaqen dilema të mëdha kërkimi. Çfarë filozofie dhe vesesh mbështillet nën vetëdijen e njeriut dhe cilët autorë i preferon në jetë individi? Shijet janë të ndryshme në përzgjedhjen e vlerave ekzistuese. Kultivimi i shijes është çështje individuale, prandaj nuk kemi një masë të prerë, të njëanshme të absorbimit të gjërave që na rrethojnë e na nxisin nga dita në ditë. Secili ka lirinë e vet të përzgjedhjes. Një vepër të mirë e bënë kriteri i nivelizuar i standardit ekzistues artistik nëpër etapa të ndryshme kohore. Gjatë historisë kanë ekzistuar dallime të mëdha ndërmjet shkrimtarëve. Ndonjëri ka qenë më i suksesshëm se tjetri. Dallime të shumta ka pasur midis tyre për nga kriteri dhe stili artistik i përdorur, andaj ka autorë më shumë e më pak të studiuar, por të gjithë këta njerëz që janë marrë me art kanë rënë në syrin e dikujt. Gjithsesi se koha jonë kërkon nivele e kënde  të tjera studimi, ngase letërsia dhe shkenca janë zhvilluar në përmasa e kriteriume. Sot nuk kemi për detyrë që të theksojmë se cili nga këto autorë ka qenë më i madh apo më i vogël, por qasja i dedikohet një monografie që ka bërë shqyrtim dhe vlerësim për një autor bashkëkohor, cili tanimë fizikisht nuk është midis nesh, por që na ka plotësuar me një veçanti arti të theksuar. Fjala është për shkrimtarin Ramiz Kelmendi, i cili me dozën e humorit, satirës, sarkazmit dhe groteskut ka përcjellë dhe tipizuar individin dhe shoqërinë tonë gjatë këtyre viteve. Ky autor nuk shëron dhimbje, por kultivon një letërsi me një filozofi arti sarkastik, ashtu siç na paraqiten në jetë fenomene dhe vese njerëzish në shoqërinë tonë. Këta personazhe të goditura dhe të të gjitha ngjyrave ekzistojnë në ne dhe midis nesh. Të duket se secilin e ngulfat ndonjë ves i personazheve të autorit. Kjo do të thotë se autori di ta tipizojë personazhin dhe ngjarjen që ka në përdorim.

Stilistika me të gjitha paradokset e veta, lexuesve të vet u sjell një model të vazhdueshëm të botës moderne duke përmbushur kritere estetike dhe etikë domethëniesh të bazuar në normat udhërrëfyese të njohjes së botës. Nga konvencioni i kiçit dhe artit shfaqen ndodhi të shumta në jetën shoqërore. Ato shpalojnë deformimet e njerëzve gjatë historisë së njerëzores dhe jo njerëzores. Njohja e njeriut me botën e dyanshme të tij është e ngjeshur në kuptim me groteskun dhe paradoksin, e që  është në kundërshtim me arsyen e shëndoshë, por që mund të jetë ndodhi e vërtetë në jetë. Përdorimi i groteskes na shërben për të përmirësuar botën dhe njeriun në të ardhmen. Duke bartur këtë formë të shprehjes, arti provokon me stil imazhe qesharake jo vetëm te auditori por edhe te lexuesi. Mënyra e plasimit të groteskut njeriun e vë në sprovë, dhe me aktin e njohjes së dimensioneve të shumta të pengesave të të ekzistuarit mendor.

Humori dhe grotesku janë mjete të rëndësishme për një vepër artistike. Groteskut para së gjithash i amputohen edhe absurditeti, paradoksi, parodia, shakaja ose satira. Pa këtë dimension kreativ të gjerë,  një vepër letrare do të ishte e cunguar. Letërsia e madhe në fushën e gjerë të veprimit artistik i përdor këto elemente gjallëruese, duke ndërtuar shpoti bredhëse nëpër imagjinatë për t’i sjell artit kondicion atraktiv të veprimit artistik. Kurse satira qëllimin e vet kreativ e ka te e vërteta ekzistenciale, të përmbushur me përvojën sociale, politike dhe morale. Satira sqaron realitetin ekzistues të deformuar, duke e tepruar me elemente monstruoze dhe psikike të paharmonizuara. Satira është e orientuar ndryshe nga grotesku, gjegjësisht duke u bazuar në të vërtetën ekzistuese nuk kërkon mundësi alternative të të mundshmes, por synimin e drejton në procesin e rrëzuar të së ardhmes, me qëllim të përmirësimit të saj. Ka satirë  për punën, për nivelin e modës, për veprimet e njerëzve, për situatën ekonomike, politikën e ditës si dhe gjendjen shoqërore. Këto mundësi japin prirje për tallje, qesëndi e shpoti të ndryshme, të cilat e katapultojnë lexuesin të njihet me elemente kritike të kohës. Kjo do të thotë se satira përqesh gabimet dhe çrregullimet individuale e shoqërore. Kryesisht ajo përqendrohet në ndodhitë e shumta të ngjarjeve të njerëzve dhe politikanëve gjatë jetës publike, të damkosur e të demaskuar në shoqëri.

Satira është një kritikë kohe me gisht të drejtuar nga dikush. Madje ajo mund të shëmbëllej si karikaturë me të cilin shtrembërim njeriu e kupton shëmtinë e dedikuar. Gjithsesi satirë mund të quhet edhe një vepër që përmes shpotisë, talljes e qesëndisë, kryesish, duke e vënë në shërbim ironinë e tepruar për personin, pikëpamjet, ngjarjet, rastin apo politikën e një shoqërie.

Kështu veprat satirike të shkrimtarit Ramiz Kelmendi janë të përqendruara nëpër të gjitha këto forma letrare. Studiuesi Hashim Baftiari duke analizuar veprën tërësore të këtij shkrimtari sjell në mënyrë kronologjike para lexuesit tërësinë e veprimtarisë së autorit. Që nga “Letra prej Ulqini” e deri te kaptina e gjashtë, gjegjësisht deri te veprat skenike “Kapuç me  mëngë”, ai bën një studim të thellë të të gjitha veprave të autorit. Sipas studiuesit format satirike shëmbëllejnë me shembuj e me mjete të figurshme të hiperbolizuara. Autori duke u bazuar në literaturë dhe autorë të shumtë, që janë marrë me këtë lloj shkrimi, në botën shkencore sjell një libër të rrallë dhe me interes për autorin në fjalë. Në bazë të informacionit që kam, është një meritë e Hashim Baftiarit që  i është qasur këtij studimi.

Në këtë monografi shihen qartë edhe  studiuesit e tjerë që kanë përcjellë frymën letrare të këtij shkrimtari, të cilave autori u referohet, për të plotësuar qasjen e vet. Sipas tij, vepra më e përsosur e Kelmendit mbetet romani “Shtatë persona ndjekin autorin” ku përqendrohen të gjitha elementet bindëse satirike. Në roman shëmbëllejnë veç e veç të gjitha personazhet që ndjekin autorin. Veset e tyre duken qartë sipas rolit që luajnë në shoqëri dhe në vendin e punës. Të duket se këto karikatura personazhesh përfaqësojnë individë të kohës ku ka vepruar autori. Baftiari te romani “Shtatë persona ndjekin autorin” ka pikasur “natyralizmin në  procede dhe lidhjet e saj që ka me zhurnalistikën”. Ai madje thotë se mungojnë studime të mirëfillta për këtë autor për shkak të mungesë së literaturës teorike për humorin dhe satirën.

Një veçanti studimi në këtë libër monografik të Hashim Baftiarit është edhe  evokimi rekapitulues historik për përmbushjen estetike të veprës së Kelmendit. Ai është ndalur te kapitulli  “Doktrina estetike mbi komiken”. Baftiari gjurmon dëshmi estetike letrare nga përvoja historike, duke sjellë dëshmi bindëse rreth tri teorive: teoria e superioritetit, e mosmarrëveshjes dhe e lehtësimit. Shembujt e dhënë, që nga Platoni, Aristoteli, Kuntiliani e deri te Frojdi, autorit i kanë shërbyer si dëshmi vepruese në studimin e veprimtarisë së Ramiz Kelmendit. Për të qenë më bindës në qasjen e tij, autori përqendrohet te “komikja përgjatë shekujve” ku komikja menjëherë shfaqet pas veprave tragjike të kohës. I tillë ishte qytetërimi helen, i cili mbulohej me komeditë e Aristofanit e që shërbenin të sistemuar për emancipim shoqëror të asaj kohe. Autori nuk lë pa përmendur edhe komediografët romakë, të cilët kanë përdorur humorin dhe satirën si armë për të fshikulluar e tallur veset shoqërore të kohës. Duke studiuar tërë këtë arsenal shkrimtarësh që nga antika deri në ditët e sotme, Hashim Baftiari e ka plotësuar dhe mbushur veten me informacion të mjaftueshëm për t’iu qasur më me vëmendje edhe tërësisë së veprave të Ramiz Kelmendit, i cili është nga të rrallët që ka përdorur humorin dhe satirën në përmasa dalluese e ndikuese nëpër perioda të ndryshme kohore. Veprat e Kelmendit kanë qenë atakë veprues të shoqërisë nëpër etapa të ndryshme kohore. Të vësh në bisht të lahutës të metat, anomalitë, njëmendësinë dhe diktaturën është një guxim i madh i shkrimtarit. Autori këtë veprim e ka bërë artistikisht, por në të shumtën e rasteve është keqkuptuar dhe dënuar. Arma e tij nuk pushoi edhe pas shumë kërcënimeve e dënimeve të dedikuar ndaj tij, as ato shtatë persona përndjekësish, demagogë e snobë që e përcjellin me veprimet e tyre në jetë e punë. Të merresh me këtë kategori njerëzish në shoqërinë tonë bën armiq të shumtë, sepse sipas tipizimit që janë trasuar këto personazhe nëpër vende pune, të japin dëshmi të gjalla me vese makabre për çdo ditë në rrethin ku jetojmë e veprojmë. Të duket se, autori mban kronikë për zhvillimet shoqërore. Personazhet nuk e ndjekin autorin, por autori i ndjek personazhet e tij me veset, shëmtitë, demagogjitë, mediokritetet ekzistuese që e ngufatin shoqërinë. Ato cullakohen para lexuesit me sjelljet dhe veprimet e shëmtuara të tyre. Meritë e studiuesit është se, me të drejtë e ka vërejtur veprën satirike të Ramiz Kelmendit dedikuar me sarkazmin e goditur edhe kohën vepruese të Rankoviçit, ku shoqëria shqiptare përjetonte të zitë e ullirit nga diktatura dhe pamundësia për zhvillim normal kombëtar. Këtë na e dëshmojnë edhe personazhet te vepra “Letra prej Ulqini”. Personazhet në këtë vepër duke përdorur barbarizma shëmbëllejnë për klimën dhe situatën politike në të cilën ka frekuentuar shoqëria shqiptare nëpër të gjitha viset e Jugosllavisë së dikurshme.

Gjithsesi që ky libër ka vlerën e vet, pasi është ndër të rrallët që merret me këtë fenomen satirik, si kategori estetike që ekziston në qenien njerëzore dhe në shoqëri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button