Platforma politike shqiptare pa afate! Sa është premtuese?

Platformës politike të partive dhe koalicioneve shqiptare; Bashkimi Demokratik për Integrim, “Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”, i mungon afatizimi për realizimin e kërkesa të parashtruara, shkruan Portalb.mk.

Për partitë zotuese të Platformës shqiptare nuk është me rëndësi afatizimi. Ato duke u arsyetuar me atë se Platforma do të jetë afatgjate.

“Ato pika për të cilat nevojitet shumicë e thjeshtë do i bëjmë sot, ndërsa për pikat që në Kuvend kërkohen 2/3 e votave do t’i bëjmë kur të kemi shumicën në parlament. Ky është një zotim, që jo vetëm për këtë qeveri që do të formohet tani por edhe për të gjitha qeveritë e ardhshme, nënshkruesit e kësaj deklarate qëndrojnë pas të gjitha pikave në platformë”, thonë nga Lëvizja Besa.

“Ishte i nevojshëm fillimisht të arrihej konsensusi brenda etnik-shqiptar, si parakusht për të iniciuar debatin shqiptaro-maqedonas. Mendoj se më i rëndësishëm është ky debat dhe epilogu final i tij se sa kufizimi me afate konkrete – bëjnë me dije nga BDI-ja”, deklarohen nga BDI.

LEXO: Platforma e përbashkët e shqiptarëve, zgjidhje apo krizë e re për Maqedoninë?
Sipas analistit politik Ibrahim Mehmeti fakti që nuk përmenden afate flet se partitë shqiptare janë të vetëdijshme se për realizimin e kësaj platforme është e domosdoshme të bisedohet edhe me partitë maqedonase.

“Platforma në fjalë është pikënisja e negociatave për koalicionim dhe epilogu do të varet nga më shumë faktorë. Mund të jetë që partitë kanë afate të caktuara, që mund të jenë edhe të ndryshme nga njëra parti te tjetra, por ndoshta janë pjesë e taktikave të negocimit. Tani mbetet të shihet se sa do të jenë të shkathët dhe të koordinuar përfaqësuesit shqiptarë në këto negociata dhe varësisht nga kjo do të dalë edhe epilogu”, deklaroi për Portalb Mehmeti.

Duhet pas parasysh se Platforma nuk është program, kujton profesori universitar Mersel Bilalli. Ai për për Portalb thekson se vetëm programi ka afate realizimi, prandaj, do të ishte çudi të kishte afate, me ç’rast do t’i ngjasonte një ultimatumi që në fakt është mënyra më e sigurt e mosrealizimit të saj, madje edhe e dramatizimit të ambientit politik.

“Pra, kjo është një pozicion bisedues me palën tjetër, ku domosdo do të ndesheni me kompromise, ku edhe afatet janë pjesë e tij. Por, unë mendoj se në rrethana tjera Platforma do të ishte diçka natyrore, por këtu kemi hendikepin e autorësisë. Nëse diçka s’e keni bërë 16 vite, a është dashtë ta bëni për katër vite, atëherë humbni kredibilitetin të jeni ju ai që bëni platforma. Mendoj se Platforma është bë si qëllim që të pengohet Gruevski të bëj qeveri, por në fakt ai do të ushqehet me te. Ndoshta më normale do të ishte që t’i thuhej direkt se ai ka humbë kredibilitetin të bëj qeveri duke numëruar arsyet dhe pastaj me partner tjetër të punoni në reforma, por jo si fushatë por si sistem i përditshëm”, tha për Portalb, Bilalli.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button