Diskriminimi rëndon më shumë personat me aftësi të kufizuar

Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtarë, trajton format e diskriminimit në shoqëri, që haset në kategori të caktuara njerëzish. Kjo Qendër vlerëson se edhe përkundër kornizës ligjore dhe instrumenteve funksional të Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, në Maqedoni, diskriminimi manifestohet në forma të ndryshme.

Fisnik Shabani – QMBN, vlerëson se “ende në praktikën e shoqërisë së Maqedonisë hasen raste të caktuara të cilat janë të deklaruara, para Komisionit, por jemi edhe të vetëdijshëm se ka edhe mjaftë raste të tilla të cilat qytetarët ende kanë droje dhe hezitojnë të denoncojnë diskriminimin”. 

Një kategori, mjaft e ndjeshme dhe që përballet me diskriminimin, por edhe më përballimin e paragjykimeve publike, janë personat me aftësi të kufizuar.

Dushko Minovski- Kryetar i Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi, thotë se këta njerëz nuk duan trajtim të veçantë, por trajtim të barabartë për atë edhe është sjellë ligji, me qëllim që të reagohet në raste kur vërehet cenimi i tyre.

Elena Kocoska- Lëvizje kundër handikapit “Polio Plus”, konsideron se “njerëzit me handikap në përditshmëri, hasin me shumë lloje të diskriminimit, ndër më evidentet janë përfaqësimi i tyre dhe kyçja në tregun e punës, stereotipet dhe paragjykimet shpeshherë që ekzistojnë tek njerëzit për këtë kategori të shoqërisë, bëjnë që për ta te mos ketë vend pune”. 

Maqedonia me kushtetutë është prononcuar si shtet demokratik, për atë duhet të trajtoje njejtë të gjithë njerëzit dhe të shmanget diskriminimi, porosit analisti juridik, Osman Kadriu.

“Ne si shtet duhet të marrim të gjitha masat duke bashkuar edhe mjetet juridike, mekanizmat juridike për mbrojtjen e të drejtave, Në një shtet nuk është me rëndësi se sa lirit dhe të drejtat sanksionohen apo rregullohen me kushtetutë, por krijimi i mundësive dhe kushteve në realizimin e të drejtave të njeriut”, tha Osman Kadriu.

Nga Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, lëvizja kundër handikapit “Polio Plus” dhe Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, përmes projektit “Nga Norma në praktike”, besojnë në krijimin e një shoqërie me te drejta dhe të barabarta për të gjithë.

Lajme të ngjashme

Back to top button