Shqipëria mbështet deklaratën e partive shqiptare në Maqedoni

Pas deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, kanë reaguar edhe institucionet dhe partitë politikë në Shqipëri, duke e përshëndetur dhe mbështetur këtë deklaratë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Jashtme e Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate zyrtare shprehet se Shqipëria ka inkurajuar dhe do të vijojë të inkurajojë gjithnjë aktorët shqiptarë për të qenë të përgjegjshëm në mbështetje të zhvillimeve demokratike e progresiste në Maqedoni.

“Hapi historik i bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni përbën një moment pjekurie politike, në të njëjtën kohë nevojë urgjente e avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Republika e Shqipërisë mbështet këtë deklaratë si një kornizë e përbashkët veprimi e faktorit politik shqiptar në Maqedoni në funksion të avancimit të të drejtave, lirive dhe barazive të mundësive mes komuniteteve shtet-formuese në Maqedoni”, thuhet në deklaratën zyrtare të MPJ-së.

Në deklaratë ndër të tjera shtohet se Shqipëria ka qenë dhe vijon të jetë e interesuar për një Maqedoni stabël, funksionale, demokratike dhe të kyçur në rrjedhat euro-atlantike.

Ndërkohë Partia Demokratike e Shqipërisë përshëndet deklaratën e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, nëpërmjet një deklarate të publikuar nga zyra e shtypit e kësaj partie.

“Bashkimi dhe bashkërendimi mbi bazën e parimeve dhe qëndrimeve demokratike dhe integruese duhet të përbëjë një orientim strategjik në qasjen e faktorit politik shqiptar kudo ndodhet. Partia Demokratike duke shprehur mbështetjen e plotë për këtë akt përbashkues, garanton se si sot në opozitë edhe nesër në qeverisjen e vendit, do ta shndërrojë përbashkimin dhe bashkërendimin e faktorit shqiptar në aksin kryesor strategjik të komunikimit dhe punës për realizimin e interesave integruese të shqiptarëve në Ballkan”, thuhet në reagimin zyrtar të partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.

Edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim, pjesë e koalicionit qeveritar ka përshëndetur deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button