Lëshohet në përdorim rruga që lidh Haraçinën dhe Likovën

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferri i shoqëruar nga zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve Xhelal Bajrami dhe përfaqësues të Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore ka marrë pjesë në lëshimin në përdorim të rrugës Haraçinë-Nikushtak – Ropalcë. 

Zëvendëskryeministri Xhaferri theksoi se sot shënojmë përfundimin edhe të një projekti që është në Programin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për ndërtimin dhe renovimin e rrugëve rajonale. 

Xhaferri potencoi se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë në të ardhmen.

“Sot promovojmë fazën e parë të kësaj rruge nga fshati Haraçinë deri në fshatin Ropalcë të Komunës së Likovës. Punimet në realizimin e kësaj faze kanë përfunduar para kohe që është një angazhim maksimal i të gjitha institucioneve përgjegjëse. Ndërsa, njëkohësisht vazhdojnë punimet në realizimin e fazës tjetër nga Likova deri në Orizarë, ndërsa vazhdojnë procedurat për hapjen e shpalljes për ndërtimin e pjesës nga fshati Ropalcë deri në fshatin Matejçë”, tha Xhaferri.

Ndërsa, zëvendësministri i Transportit Xhelal Bajrami theksoi se përveç këtij projekti në Komunën e Haraçinës dhe Likovës realizohen  edhe projekte tjera.

“Sot lëshuam fazën e parë të kësaj rruge që është në gjatësi prej 15 kilometra dhe ka kushtuar 157 milion denarë. I tërë projekti që do të zhvillohet në tre faza do të kushtojë mbi 5 milion euro ndërsa do të ndërtohen 27 km rrugë. Vazhdojnë investimet e Qeverisë në këtë regjion ku realizohen edhe  projekte tjera, sic është rruga nga fshati Vaksincë deri në dalje të fshatit Llojanë dhe kjo rrugë është duke u ndërtuar. Gjithashtu, punohet edhe rruga për në fshatin Ramali ku bëhët rehabilitimi i tërësishëm i këtij aksi rrugor. Kur jemi këtu të përmendim edhe ndërtimin e rrugës Opajë-Bellanocë”, tha Xhelal Bajrami. I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.

Lajme të ngjashme

Back to top button