Mustafa: Zgjedhjet në qershor – nuk bëjmë marrëveshje të fshehta

Kryeopozitari Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij do të bëjë gjithçka është e mundur që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në qershor.
Mustafa, në një postim të tij në Facebook, ka bërë me dije se kjo kërkesë po i bëhet nga Forumi i Gruas dhe nga Forumi i të Rinjve të LDK-së, ndërkaq ka theksuar se partia që ai drejton nuk bën marrëveshje të fshehta.

“Këto ditë po zhvillojmë një aktivitet të gjere me Forumin e Gruas të LDK-së dhe Forumin Rinor të LDK-së në të gjitha degët. Është një interesim i dukshëm i grave dhe të rinjve për Zgjedhjet e Përgjithshme. LDK do të ndërmarr të gjitha veprimet që zgjedhjet të mbahen deri në qershor, sepse institucionet qeverisëse të vendit janë bërë të paqëndrueshme dhe nuk kanë shumicë legjitime”, ka thënë Mustafa.

I pari i LDK-së ka thënë se do të punojnë që zgjedhjet të jenë mirë të organizuara, të jenë të vëzhguara nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendorë dhe të rezultojnë legjitime.

“Koalicionet do t’i bëjmë me ato subjekte me të cilat do të sigurojmë ndryshime pozitive dhe të domosdoshme në zhvillimin ekonomik, në forcimin e shtetit ligjor, në luftën kundër korrupsionit dhe reformat e nevojshme strukturore. Unë do ta respektoj opinionin e anëtarësisë dhe qytetarëve për qeverisjen që i nevojitet këtij vendi në këto momente. LDK nuk bën marrëveshje të fshehta”, ka theksuar Isa Mustafa.

Lajme të ngjashme

Back to top button