Ramush Haradinaj mbetet në paraburgim

Drejtësia franceze ka vendosur që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, të mbetet në paraburgim, derisa Serbia, sipas tyre, të sjellë dëshmi të reja për ekstradimin e tij në Beograd. Kryeministri Vuçiq kërkon që ish-komandanti i UÇK-së të ekstradohet atje, ndërsa në Prishtinë mbetja në paraburgim konsiderohet paradoks. AAK-ja dhe lidershipi politik kërkon që Haradinaj të lirohet menjëherë, pasi bëhet fjalë për urdhërarrestim të Serbisë nga koha e Milloshviqit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të mbetet në paraburgim në Francë, deri në një kërkesë zyrtare të Serbisë për ekstradim të tij, ka njoftuar Gjykata e Apelit në Francë. Kështu kanë raportuar mediumet prestigjoze botërore, të cilat kanë ndjekur nga afër zhvillimet në Francë.

Menjëherë pasi të mbërrijë kërkesa për ekstradim nga Serbia, Gjykata e Apelit të Colmarit do të vendosë mbi ligjshmërinë e kërkesës nga Beogradi, siç thekson prokurori. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndalur të mërkurën në Francë, për shkak të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 me të cilin ai konsiderohet si kriminel lufte me rolin e tij si udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E një kërkesë për ekstradim është premtuar nga Serbia, respektivisht nga vetë kryeministri Aleksander Vuciq.

“Çka tjetër vetëm se të kërkojmë ekstradimin e tij”, tha Vuçiq. “Për mua do të ishte e palogjikshme që Franca si një shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën”, ka thënë kryeministri i Serbisë.

Në anën tjetër, AAK-ja përmes një komunikate për shtyp ka thënë se vendimi për ta mbajtur Haradinajn në paraburgim, në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat ai dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor.

Zyrtarët më të lartë institucionalë të vendit, e kanë quajtur provokim fletarrestin serb në bazë të së cilit është arrestuar Haradinaj. Sipas tyre, ky është një tentim për destabilizim të Ballkanit. Reagime ka pasur edhe nga Shqipëria.

Kryeministri Rama, ka thënë se arrestimi i Haradinajt është një absurditet. Megjithatë, gjasat për ekstradim të ish-komandantit të UÇK-së, sipas avokatit Arianit Koci, janë zero. Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të fletarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.

Hoxha: Serbia po provokon

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se MPJ-ja e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me MPJ-në e Francës për lirimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Jashtme të Francës për rastin e ndalimit të Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Unë personalisht dhe me kolegët e mi nga Qeveria po merremi me këtë situatë absurde prej ditës së djeshme dhe kam komunikuar tashmë edhe zyrtarisht se fletarrestet e Serbisë janë të papranueshme”, ka deklaruar Hoxhaj për gazetën “Zëri”.

Sipas Hoxhajt, kërkesat e Serbisë për arrestimin e shtetasve të Kosovës dhe ish-luftëtarët e UÇK-së, janë një thirrje e hapur për ta tensionuar situatën në Kosovë dhe Ballkan. “Kërkesat e Serbisë për arrestimin e shtetasve të Kosovës dhe ish-luftëtarët e UÇK-së janë një thirrje e hapur për ta tensionuar situatën në Kosovë dhe Ballkan. Kërkesat serbe të motivuara politikisht për arrestimin e qytetarëve dhe lidershipit të Kosovës janë thirrje për të vepruar në mënyrë reciproke gjë që Kosova më së paku e dëshiron. Ambasadat tona në Francë dhe institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje maksimale për ta liruar z. Haradinaj dhe tashmë diplomatët tanë edhe e kanë takuar atë personalisht”, ka thënë Hoxhaj

AAK: Paraburgimi, vendim politik e jo gjyqësor

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, e ka quajtur si vendim politik e jo gjyqësor, atë për paraburgimin e liderit të tyre.

“Vendimi i autoriteteve gjyqësore të Francës që ta mbajnë në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës dhe Kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm.”, thuhet në komunikatën e AAK-së, e cila vazhdon më tej. “Marrja e një vendimi të tillë në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara, për të cilat zoti Haradinaj dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor.”, thuhet në komunikatë. Sipas AAK-së, mbajtja në paraburgim e liderit të tyre , për t’i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë gjithë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish-regjimi i Millosheviqit dhe të heqë dorë nga fletarrestet e kohës së tij. Ne jemi të bindur se vendimi i sotëm për ta mbajtur në paraburgim Zotin Haradinaj do të korrigjohet shpejt dhe në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, ai do të lihet i lirë të vazhdojë punën e tij”, përfundon komunikata e AAK-së.

 Ministria e Drejtësisë kërkon lirimin e Haradinajt

Edhe Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka kërkuar nga autoritetet franceze, lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ministria e Drejtësisë në pajtim me mandatin e saj, në momentin e marrjes së njoftimit mbi ndaljen e z. Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, ka reaguar menjëherë duke dërguar shkresë tek autoritetet franceze përmes së cilës ka kontestuar juridiksionin e autoriteteve serbe në trajtimin e rasteve të kësaj natyre, që dyshohen se janë kryer në territorin e Republikës së Kosovës nga shtetasit e saj.”, thuhet në përgjigjen që zyra për komunikim i ka dhënë gazetës “Zëri”. Kërkesa kryesore e ministrisë së drejtësisë, ka qenë lirimi i liderit të AAK-së sa më parë që është e mundur. “Po ashtu është kërkuar që z. Haradinaj të lirohet dhe t`i lejohet kalim i lirë.”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

 Koci: Lufta speciale e Serbisë po vazhdon

Avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci, ka thënë se gjasat që Ramush Haradinaj të ekstradohet në Serbi, janë zero. Sipas Kocit me arrestimin e Haradinajt po vazhdon lufta speciale e Serbisë. “Gjasat janë zero që Ramush Haradinaj të ekstradohet në Serbi. Disa gazetarë serbë të afërt me struktura të sigurisë, po përhapin dezinfomata. Lufta speciale e Serbisë po vazhdon.”, ka thënë Koci. Sipas tij, Haradinajn e ka arrestuar paaftësia e institucioneve kosovare. “Serbia po i keqpërdor të gjitha mekanizmat ndërkombëtare, për t’i dëmtuar proceset në Kosovë, por edhe udhëheqësit eminentë, siç është z. Ramush Haradinaj. Pafajësia e tij lidhur me akuzat e Serbisë, dy herë është vërtetuar në Tribunalin e Hagës. Problemi është se ne jemi të paaftë dhe në planin diplomatik, nuk po mundemi t’u bëjmë ballë sulmeve të Serbisë.

Prandaj, Ramushin e ka arrestuar paaftësia jonë, dhe loja e fëlliqur e Serbisë.

Fatkeqësisht, tash po i vuajmë pasojat e politikës së gabuar kadrovike, me vite të tëra”, ka thënë Koci.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button