Komuna e Vevçanit e gatshme për manifestimin “Karnavali i Vevçanit”

Komuna e Vevçanit si çdo vit tjetër, edhe këtë vit është e gatshme për organizimin e manifestimit “Karnavalit të Vevçanit”, i njohur si manifestim provokues përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme, i cili tradicionalisht mbahet me rastin e festës së Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër, raporton Anadolu Agency (AA).

“Karnavali i Vevçanit”, do të mbahet duke filluar nga 10 janari deri më 14 janar këtij viti, ku në dy prej pesë ditëve të planifikuara organizatorët kanë përgatitur program atraktiv muzikor, ndërsa një ditë para përfundimit grupe me persona të maskuar do të aktrojnë rrugëve të Komunës së Vevçanit. Manifestimi do të përfundojë me djegien e maskave, me të cilën besohet se njerëzit do të çlirohen nga e keqja, ndërsa viti vijues do të jetë më i mirë dhe me më shumë të ardhura.

Në prezantimin e programit ku të pranishëm ishin edhe artistë që do të performojnë në programin muzikor, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, e cila mbështet karnavalin në fjalë, kryetari i Komunës së Vevçanit, Cvetomir Ugrinoski, deklaroi se nga viti në vit pasurohet programi i karnavalit, si dhe shtoi se kjo kontribuon edhe në rritjen e numrit të vizitorëve, si ato vendas edhe të huaj.

“Me të vërtetë ju mediumet i dhatë një mbështetje të shkëlqyer këtij karnavali, duke hyrë në thelbin e tij. Me publikun ju ndatë atë që do të thotë ‘Karnavali i Vevçanit’, i cili është i vetmi në botë i këtij lloji të karnavaleve të paganizmit dhe është një ndër karnavalet më të vjetër në botë”, u shpreh Ugrinoski.

Ndërkaq, zv/ministri i Kulturës, Dragan Nedelkoviq, theksoi se ky karnaval është manifestim kulturor dhe turistik me brend më të njohur në Maqedoni dhe që vazhdon të mbahet tradicionalisht mbi 14 shekuj.

“Atë ditë e tërë bota mund të ndalojë, por ‘Karnavali i Vevçanit’ nuk do të ndalojë. Shpresoj se kjo traditë do të vazhdojë edhe shumë shekuj të ardhshëm. Ky karnaval kontribuon në zhvillimin e vlerave kulturore të Maqedonisë”, theksoi Nedelkoviq.

“Karnavali i Vevçanit” konsiderohet si një prej kurioziteteve më të mëdha unike dhe kulturore në Maqedoni me traditë 1.400 vjeçare. Ky karnaval përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme përcjellë mesazhet për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit paraprak në vend dhe më gjerë, duke i kritikuar të njëjtat. Komuna e Vevçanit dhe “Karnavali i Vevçanit” janë anëtare të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnavaleve (FEEC)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button