Intervista e Gruevskit, ja çfarë thonë nga shoqëria qytetare

Intervista e fundit e ish kryeministrit Nikolla Gruevski ka hasur në reagime të shumta. Gruevski edhe kësaj here nuk ka mundur të flasë për aktualitetin e të mos e përmend Fondacionin Shoqëri e hapur të financuar nga Xhorxh Soros, transmeton Portalb.

“Po të mos ishte Soros dhe i tërë rrjeti i OJQ-ve, medieve, politikanëve brenda dhe jashtë që i paguan, ndikimi tek shtetet më të fuqishme në botë edhe atë ndikim vendimtar kur bëhet fjalë për shtete më të vogla siç është i joni, nuk do të ishte aq vështirë, ndërkaq edhe ekonomia do të ishte më e fuqishme, do të kishim më shumë vende të hapura pune”- thotë Gruevski në intervistën me titull “Sektori civil nuk guxon të qëndrojë në duart e Soros”.

Sipas tij, sektori civil në të ardhmen “nuk guxon të qëndrojë në duart e Sorosit dhe të qeverive të huaja”.

“Soros në Maqedoni krijoi armatë moderne. Po, armatë klasike. Sot beteja nuk është me armë si para 100 viteve, por me OJQ, media dhe gazetarë të korruptuar dhe ndikim mbi mediat e fuqishme botërore dhe qeveritë e fuqishme të huaja, që politikat e tyre ndaj një shteti t’i hartojnë sipas qëllimeve të tij. Ky është realiteti dhe për fat të keq kështu vepron Soros dhe atëherë të bëjnë si të duan, të mundojnë, të gatuajnë si një brumë. Do të të bëjnë kriminel, hajdut dhe tradhtar edhe idiot, mostër, gjithçka që do të vendosin si qëllim do të të bëjnë. E pastaj dil ti në zgjedhje. Do të të nxjerrin treqind afera, shumë gënjeshtra dhe dezinformata, tjetër flet, e tjetër transmetohet e kështu me radhë. Mediat botërore si “Associated Press” apo “Washington Post” mund të transmetojnë një informacion korrekt, por nuk mund të njëjtën ta bëjnë mediat e financuara nga Fondacioni Soros në Maqedoni. Por, ka ilaç edhe për atë”, deklaroi Gruevski.

I menjëhershëm ishte reagimi i Vlladimir Millçinit, ish drejtor i Fondacionit Shoqëri e Hapur.

“Ajo që Gruevski gënjen nuk është më fshehtësi, por tani nuk e di a po i gënjen të tjerët apo veten. Për ta sqaruar atë që po i ndodhë. E humbi pushtetin absolut mbi qytetarët e Maqedonisë, nga dita në ditë është më i vetmuar. Shume luftëra hapi brenda dhe jashtë”, vlerëson Millçin.

Millçin për DW në gjuhën maqedonase tregon se Soros është takuar me shumë politikanë, në Shkup: Kiro Gligorov, Krste Cërvenkovski, Stojan Andov, Abdurrahman Aliti, Arbër Xhaferi, Vasil Tupurkovski, Petar Goshev, Lubço Georgievski… ndërkaq, me Gruevskin është takuar në Pragë.

“Kur Gruevski për së pari herë u bë kryeministër, unë i dërgova letër në emër të Fondacionit dhe i ofrova bashkëpunim për europianizmin e Maqedonisë. Përgjigje nuk mora. Së shpejti gjithçka mu bë e qartë: ai donte grujovizimin e Maqedonisë dhe jo europianizmin”, theksoi Millçin.

Fani Karanfilova – Panovska, drejtore aktuale e FSHH konstaton se intervista e Gruevskit e cila është përplot me teori komploti, është vazhdim i sulmeve të vazhdueshme ndaj Fondacionit.

Sipas saj, sulmet ndaj shoqërisë qytetare, e cila kërkon përgjegjësi politike dhe dënimin e qeverisjes kriminale të Gruevskit ka për qëllim që ta frikësoj dhe ta ngulfate lëvizjen qytetare./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button