Përfundon etapa e Ban Ki-munit, në krye të KB-së vjen Guteresh

Në krye të Kombeve të Bashkuara sot pas dy mandateve të jugokoreanit Ban Ki-mun vjen diplomati portugez, Antonio Guteresh.

Ai në funksionin më të lartë të organizatës botërore vjen në momentin kur bota po ballafaqohet me sfida të mëdha, por edhe në atmosferë të dyshimeve të përforcuara se KB-ja nuk kontribuon për paqen dhe sigurinë, aq sa pritet një gjë e tillë prej tyre.

Duke e dhënë betimin më 12 dhjetor, ai vlerësoi se KB-ja duhet të përgatitet për ndryshime.

“Prej krizave akute në Siri, Jemen dhe Sudanin Jugor dhe në vendet e tjera, deri në kontestet shumëvjeçare, duke e përfshirë edhe konfliktin izraelito-palestinez, na nevojitet ndërmjetësim, arbitrazh dhe diplomaci kreative”, vlerësoi atëherë Guteresh.

Sipas tij koha është që KB-ja t’i njohë mangësitë e saja dhe të reformohet mënyra e funksionimit të tyre.

Ai gjithashtu shfaqi shpresë se do të arrihet koordinimi më i mirë i mundshëm midis instancave të ndryshme në KB të obliguara për luftë kundër terrorizmit dhe vlerësoi se KB-ja duhet më shumë të investojë tek njerëzit, ndërsa më pak në burokraci.

Një prej prioriteteve të tij do të jetë përmirësimi i pozitës së grave dhe në këtë plan tashmë ka dhënë kontribut personal duke i emëruar tri gra në pozita kyçe në ekipin e tij. Ai e emëroi ministren nigeriane të Ekologjisë, Amina Mohamed si zëvendëse të tij, funksionaren e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Brazilit, Marija Luiza Ribeiro Vioti do të jetë shefe e kabinetit të tij, ndërsa Kjung va Kang nga Koreja e Jugut do të emërohet në pozitën këshilltare speciale për politikë.

Në njërën prej intervistave të para, pasi Asamblea e Përgjithshme e zgjodhi në tetor, për Bi-Bi-Si-në britanike, Guteresh deklaroi se prioritet i tij do të jetë lufta në Siri.

“Vlerësoj se prioritet i lartë i bashkësisë ndërkombëtare është t’i jepet fund luftës”, tha Guteresh.

Portugezi edhe para këtij funksioni ka pasur pozita të larta në politikën vendore dhe ndërkombëtare.

Ai ishte komisar i lartë i KB-së për refugjatë nga qershori i vitit 2005 deri në dhjetor të vitit 2015, duke e kryesuar organizatën më të madhe humanitare me rreth 10 mijë të punësuar në 125 vende.

Paraprakisht ai mbi 20 vjet ishte pjesë e qeverisë portugeze dhe administratës shtetërore. Kryeministër i Portugalisë ishte nga viti 1995 deri në vitin 2002. Në periudhën prej vitit 1981 deri në vitin 1983 ishte anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ka lindur në Lisbonë në vitin 1949 dhe është inxhinier me profesion. Flet rrjedhshëm gjuhën angleze, spanjolle dhe franceze. Është i martuar dhe i ka dy fëmijë.

Mandati i Gutereshit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të KB-së zgjat pesë vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button