Gold Ag bëri rragadag

Në një intervistë të rrallë, para tre vjetëve, me njërin nga intelektualët e rrallë shqiptarë, Petrit Imami, i cili ende jeton dhe vepron në Beograd ku edhe drejton katedrën e Dramaturgjisë, në Universitetin e Beogradit, në pyetjen gazetareske nëse dhe çka ndjek nga zhvillimet e shqiptarëve në rajon. Profesor Imami, për në Kosovë, veçon se ndjek me vëmendje këngët e grupeve rap, të cilat zbulojnë emocionet dhe koshiencën e rinisë urbane të qyteteve të Kosovës. Duke shtuar se zhvillimet shqiptare i ndjek si një dramaturg:  “më interesojnë aktorët në këto ngjarje, gjegjësisht, se me çfarë motivesh ata iu paraprijnë ideve politike, çfarë cilësish kanë ata dhe çfarë fshihet pas veprimeve të tyre. Shkrimtari i njohur kroat, Miroslav Krlezha, thotë se fjalët njeriu i përdor për t’i fshehur mendimet e veta.”

Ky sqarim thelbësor mu kujtua me të parën kur dëgjova këngën e re të “Gold Ag” të titulluar, më përgjithësisht e mundshme: “Shqiptar”. Kemi të bëjmë me një produkt arti të veçantë i kompletuar në pamje, tekst dhe muzikë, por i cili në një fjalë mund të përshkruhet vetëm me fjalën: brutal! Brutaliteti në këtë fillon që në vet zhanrin muzikor në të cilin i njëjti produkt na paraqitet; muzika rap e njohur për brutalitetin e saj në tekst dhe muzikë. Duke përfunduar me pamje dhe sekuenca, të qortueshme si djegie të fotografive dhe simulacion të dhunës.

Përmbajtja e tekstit, pjesë-pjesë, është me gjuhë të urrejtjes e cila shkaku i shpejtësisë dhe brutalitetit, më shumë ndihet se sa është prezente, në fund e le një ndjenjë që ndoshta më mirë mund të përshkruhet me sintagmën: ka fol rëndë, por të tëra i ka thënë! Teksti dhe fjalët përpos se janë eksplicite dhe përfshijnë edhe emra dhe mbiemra konkret të personave dhe institucioneve përçojnë një alarm. Alarm ky që ndonëse tingëllon bukur dhe me rimë të vazhdueshme ngrit shqetësime për gjëra që duhet shumë më seriozisht se me këngë rap të trajtohen dhe debatohen.
Ashtu një dëgjuesi i drejtë i këtij alarmi në tinguj do e kupton menjëherë se këto janë disa fjalë të mëdha për atë se kanë ndodhë gjëra të mëdha që meritojnë vëmendje të veçantë. Në këtë aspekt kjo këngë i përngjan një thirrjeje e cila, ndonëse është në gjuhë të pakuptueshme, për dëgjuesin alarmon për gjëra shumë të mëdha. 
Pasi në tekstin e kësaj kënge ka mjaft fjalë që revokojnë dhe u referohen disa simboleve fetare ndoshta edhe krahasimi më i mirë për këtë vepër arti mund të gjendet mu aty; te një praktikë e lajmërimit për vdekje në shumë vise shqiptare që quhet salla ose temxhid. Kur hoxha ose myezini, jashtë kohës së rregullt për falje të namazit hip në minare dhe bën një lutje fetare me qëllim të lajmërimit për vdekjen e ndonjë banori të atij vendi ose fshati, ose të ndonjë ndodhie me pasoja të dëmshme për ata banorë; sikur zjarr ose vërshim. 

Krahasimi do ishte ndoshta edhe më i saktë nëse e krahasojmë kur në mungesë të hoxhës ose njeriut që din ndonjërën e formave të caktuara këtë e bën një njeri pa përgatitje të duhur fetare dhe pa dijeni për tekstin e saktë të asaj lutjeje. Ajo që është thelbësore për krahasimin është se edhe në atë rast mesazhi shkon në vend. Pasi edhe pa tekstin e saktë dhe me gabime plotë, sikur sharjet dhe mallkimet e dënueshme dhe pavend në këtë këngë, vet fakti se jashtë orarit dikush thërret prej minares, qoftë ky edhe njeri që shqipton edhe disa fjalë të gabuara, ai me këtë akt ngre alarmin te banorët se megjithatë kemi të bëjmë me diçka të madhe: zjarr, vërshim ose më shpesh: vdekje!

Për të përfunduar fjalët e pakta për një gjë që do mbetet gjatë në kujtesën shqiptare mund të themi se kjo këngë është një manifest mllefi. Ai si i tillë është i jashtëkohshëm, shpërthyes dhe aspak kalkulues dhe i përshkuar me brutalitet, por tejet i vlefshëm si alarm mbi të cilin duhet të reflektojmë. Ky alarm ndonëse zgjat më shumë se mesatarja e një këngë karakterizohet me një shpejtësi që e bën atë të depërtueshëm thellë dhe me mundësi të shumta për reflektim dhe komentim.

Gold Ag me këtë këngë ka bërë një rragë ose rragatë, një grindje me fjalë, të kombinuar me tingull thumbues si fjala tingullimituese “dang” në shqip. Ndoshta shprehja “rragadag” që përdoret në disa vise e të folurit gegë, e që shpreh një teknikë të shpejtë të folurit dhe veprimit, vjen si dyzim i këtyre dy fjalëve, por ajo qartë ilustron atë që ka provokuar dhe shfaqur kjo vepër arti në opinion.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button