fbpx

Krahasimi e mosmarrëveshja

U takova pas luftës në Kosovë me një gazetar gjerman. Rasti na çoi në shtëpinë gjysmë të djegur të një fatkeqi shqiptar. Hamë darkë te mikpritësi ynë e bisedojmë. Ende ndjehet era e barotit nga lëndët plasëse. Era e thëngjillit të pullazit të shtëpisë si mikpritësit tonë. Por edhe era e petardave a kapsollave, a çka u thonë atyre, me të cilat u shpreh gëzimi i njerëzve kur u kthyen në vatrat e tyre të vjedhura e të djegura nga ushtarët, paramilitarët e milicët serbë, që u dorëzuan dhe ikën përgjithmonë. Gazetarit gjerman i interesojnë marrëdhëniet tona me serbët, e nuk i shikon gërmadhat rreth nesh. Nuk i përmend edhe kafshët e mbetura të vrara ose të ngordhura që i ke në çdo anë. Nuk flet për kaosin që e kanë lënë prapa ushtarë, policë e paramilitarë serbë. I sheh, por nuk janë ndoshta prioritete gazetareske të tij.

–  Pse nuk kaloni mirë me ta? – më pyet ai pa i rënë rreth katundit.
–  Me kë?
–  Kuptohet, me serbët.
–  Vazhdimisht na kanë shtypur. Pas skrupull. Na kanë fyer. Kemi qenë të okupuar prej tyre, – iu përgjigja.
–  Tash nuk jeni… – më thotë.

–  Ende janë të freskëta plagët e rënda të luftës. Ende pëshpërit e kaluara e vrazhdët në veshët tonë. Ende dëgjohet jehona e rëndë e rrapëllimave e çizmeve të milicisë serbe nëpër sokakët tonë. Ende dëgjohen sharjet e tyre në retë e mbetura të barotit dhe të pluhurit të kamionëve të të ashtuquajturës Armatë popullore jugosllave. Ende, i sheh edhe vetë, jemi në gërmadha. Ende nuk është tharë gjaku nëpër rrugët, nëpër oborre, në mbarë relievin tonë. Ende nuk janë tharë lotët e nënave tona që i kanë derdhur plot njëqind vjet. Vajet e nënave tona nuk kanë përfunduar.

–  Edhe kjo është e kaluar.
–  Epo…
–  Epo çka? – pyet gazetari gjerman.
–  Nuk merremi vesh me ta – i them – për një shprehje. Për një shprehje… – vazhdoj – jo pa ironi. – Që ka qenë përditshmëri jona e hidhur në vazhdimësi për njëqind vjet të jetës “të përbashkët” me ta. Që ka qenë e që ka mbetur e tillë edhe tash. Të jem më i qartë…
–  Atë po e pres – thotë gazetari gjerman.
–  Ata e kanë një shprehje që u duket shumë e bukur, kurse neve na duket krejt ndryshe. Ne e kemi shprehjen që mendojmë se është poetike. Ata s’e përfillin shprehjen tonë.
–  Shprehje?
–  Në fakt bëhet fjalë për një krahasim të dy shprehjeve. Tonës dhe të tyreve. Po shtyhemi ne shqiptarët me ta një shekull e më tepër në këtë temë. Ata e mbrojnë me pushkë shprehjen e tyre. E mbrojnë me kama, me thika. Edhe me topa e tanke. Ne e mbrojmë me këngë shprehjen tonë. Për këtë shtyhemi ne me ta e s’merremi vesh dot, – i them unë. – Ata s’lëshojnë pe. Ne vazhdojmë të mendojmë e t’u themi se shprehja jonë është një vlerë evropiane. Se është përkufizim i shpirtit tonë. Kurse juaja – u themi ne – është përkufizim i shpirtit tuaj kolektiv. Kjo i nxjerr prej binarëve ata dhe menjëherë shkojnë e i mprehin kamat e tyre, të na sulen ne gjithë arsenalin që kanë.

–  Për një shprehje qenkeni zënë kaq keqas? Po bën shaka? – më pyet me gazetari gjerman, duke i rënë në fije ironisë. – Nejse, nejse, – thotë dhe duket se mezi pret ta dëgjojë për cilat shprehje jemi zënë ne shqiptarët me serbët. – Cila na qenka kjo shprehje e tyre e cila na qenka juaja, që po ju ngatërruaka juve kështu keqas? – pyet me buzëqeshje. Dhe i hap sy e veshë.
–  Serbët – i them unë – thonë: “Fle si i therur” (“????? ??? ??????”), kurse ne themi: “Fle si qengj”. Punë psikologjie kolektive – shtoj.
Gazetari gjerman më shikon një kohë. Pastaj ia jep gazit: ha-ha-ha! Në atë çast vjen e zonja e shtëpisë dhe na sjell nga një gotë raki rrushi e nga një filxhan kafe. Në qerpikët e saj rrinin lëvarur dy pika lotësh.

Rreth nesh sikur u hap pamënia e zymtë e qytetit të shkatërruar nga artileria serbe. U shpalua krejt qyteti i mbetur pa pullaze, pa dyer, pa dritare. Pastaj u dëgjuan njerëzit që nxitonin ta ngrenë në këmbë qytetin e tyre të rrënuar nga dora e armikut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close