Ahmeti ambasadorit italian: do të nxis debat në BDI për projektet tona

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, në selinë e partisë në Tetovë ka zhvilluar takimin e parë me ambasadorin e ri të Italisë në Maqedoni, Ernesto Beleli. 

Ambasadori italian dha mbështetjen për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë, njoftojnë nga kabineti i Ahmetit. Ambasadori italian është interesuar rreth zgjedhjeve presidenciale dhe paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

“Ahmeti shpjegoi që pas takimeve me autoritetet e larta amerikane dhe evropiane si dhe ato të rajonit dhe në veçanti pas kthimit nga vizitat intensive në Uashington dhe vendet e Bashkimit Evropian, ka vendosur që të nxis debat brenda strukturave të BDI-së për të gjetur mënyrën më të mirë për kapitalizim të përpjekjeve tona për integrimin e vendit në NATO dhe BE. 
Analizat e takimeve diplomatike të kryetarit Ahmeti dhe përpjekjet për ta kapitalizuar këtë fushatë ndërkombëtare përballë zgjedhjeve në të gjitha shtetet anëtare të BE për Parlamentin evropian në maj, ndryshimeve në udhëheqjen e institucioneve të BE, zgjedhjeve lokale në Greqi po ashtu në maj, samitit të NATO-s në shtator të këtij viti si dhe zgjedhjeve tona presidenciale janë në fokusin e debatit të brendshëm që po zhvillohet në të gjitha strukturat e BDI”, njoftojnë nga kabineti i Ahmetit.

Sipas Ahmetit, të gjitha këto zhvillime bashkë me zgjedhjet e rregullta parlamentare të vitit 2015 kanë ndikim të jashtëzakonshëm në procesin e zgjidhjes së pengesës së vetme që qëndron para nesh në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së, andaj edhe vendimi eventual i BDI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare do të merret duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana dhe do të jetë në dobi të proceseve integruese në vend. 

Pjesë e analizave në BDI është edhe nisma për zgjedhjen e presidentit të shtetit me konsensus midis palëve që kanë legjitimitetin tek dy komunitetet shumicë në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button