Maqedoni, skadon afati, shumë objekte presin fundin e legalizimit ose shembjen

Procesi për legalizimin e objekteve pa leje vazhdon të zhvillohet në të gjithë komunat e Maqedonisë të cilat bëjnë apel tek qytetarët të cilët kanë dorëzuar kërkesat, që sa më shpejtë të dorëzojnë edhe elaboratet gjeodezike shkaku që afati skadon më 31 dhjetor të këtij viti.

Kadastra deri në korrik ka dhënë flet­pronësi për legalizimin e 156.344 objekteve të ndërtuara pa leje. Ndërkaq deri te komunat gjithsej janë parashtruar 440.000 kërkesa për legalizim, nga të cilat në afatin e parë 360.000, ndërsa në të dytin edhe 80.000, të cilat pritet të shqyrtohen në periudhën e ardhshme.

Ndërtimet të egra apo ilegale janë shtuar viteve të fundit duke shndërruar kështu në kaos planin urbanistik komunal.

Ata që ankohen më së shumti janë banorët e komunës Çair të Shkupit, të cilët për Portalb thonë se aq shumë po ndërtohet në këtë komunë, sa nuk ke hapësirë për asgjë.

“Dhjetë vitet e fundit në komunën tonë vetëm ndërtohet, lidhje e palidhje. Ndërtesa të mëdha që nuk ofrojnë parkingje dhe parqe rekreative, unë nuk e zë si vendbanimi. Është e tmerr çka kjo që po i ndodh komunës tonë. Nuk e di ku i kanë sytë ata të komunës”, tha Rahim Duraku, banor.

Ndërtesa në Serovë
Ndërtesa në Serovë

“Shumë është e thjeshtë, shkoni njëherë shikoni lagjet Aerodrom, Karposh Gjorçe Petrov, e pastaj hajeni në Serovë, Gazibabë, Dizhon, do të ju duket thuajse keni vizituar dy shtete të ndryshme. Është tmerr të ndërtohen ndërtesa të larta pa leje, edhe normal që ajo do legalizohet se ska si komuna të shemb ndërtesa dhjetë apo njëmbëdhjetë katëshe e të le pa shtëpi dhjetëra familje, që se di si i kanë blerë ato banesa që nuk ofrojnë fare standard madje nuk kanë as edhe fletëpronësi”, tha Fisnik Limani, banor.

“Nuk mjafton vetëm komuna, këtu luan rol edhe banori. Sa më e papërgjegjshme komuna aq më i papërgjegjshëm është edhe banori. Vetëm te ne shtëpitë janë të ngjitura njëra me tjetrën, sepse shumica e banorëve kokë ne vete kanë shtuar dhoma, kanë uzurpuar rrugën duke mos krijuar kështu madje edhe vend për të lëvizur makinat e lëre më këmbësorët. Kur e shohin banorët që komuna nuk po reagon, normal që do të veprojë si të ia do qejfi”, tha Ramadan Gashi, banor.

Ndertime pa leje
Ndertime pa leje

“Kjo është strategji e komunës. ‘Ndërtoni ju e ne pastaj ju japim leje’, kjo ndodh për të kërkuar para ryshfet. I kemi mësuar më të gjithë. Ata janë jo për të menaxhuar apo për të udhëhequr një komunë, por për të mbushur xhepat dhe për tu pasuruar vetë, e që po e shkatërrojnë një mjedis urbanizimi, nuk iu bëhet fare vonë. E patë para disa ditësh që kishte zjarr në një kabllo energjie? Kush mendoni se duhet të mban përgjegjësi për këtë? Normal që komuna. Me ligj përderisa nuk ke fletëpronësi, nuk ke të drejtë të kyçesh ne rrjetin energjetik, përderisa Çairi lulëzon nga objektet pa leje, nga mendoni se e marrin ata energjinë elektrike? Sugjeroj pasi që komunës tonë nuk i bëhet vonë, EVN të ndërmarr aksion për kontrollin e gjitha objekteve që nuk kanë flëtpronësi të shqyrtohet se si e marrin energjinë elektrike. Na e shkatërruan lagjen e komunën o hajdutë”, tha Gani Ibrahimi, banor.

Ndërkaq përgjegjësi i sektorit juridik pranë Komunës së Çairit, Rami Qerimi thotë për Portalb.mk  se afati i këtij procesi është shtyrë për shkak se u vlerësua se nuk mjafton periudha kohore prej 2011 deri në 2016 për të përfunduar, prandaj u shty deri në vitin 2020.

Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit
Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit

“Kërkesa për legalizim ka shumë dhe prandaj është shtyrë afati i përfundimit të këtij procesi. Kujtojmë banorët që kanë hapur lëndë të dorëzojnë elaborate për legalizim të ndërtimeve pa leje të përgatitura firmat gjeodezike deri në dhjetor të këtij viti pasi që nëse nuk sjellin të njëjtat, lëndët mbyllën dhe më nuk hapen”, tha Qerimi.

Përderisa ndërtimet e objekteve nuk kanë të ndalur në Komunën e Çairit, Qerimi shtoi se të gjitha ato objekte të cilat kanë shkelur ligjin nuk do të legalizohen dhe ndaj të njëjtave do të ndërmerren masa.

Shkatërrimi i zonës së gjelbër në Çair
Shkatërrimi i zonës së gjelbër në Çair

“Legalizimi bëhet në bazë të asaj se a është zbatuar ligji, dhe a krijon ndonjë pengesë, apo rrezik ai objekt. Nëse ndodh që nuk plotëson kushtet dhe kundërshton ligjet, atëherë ai objekt nuk do të legalizohet por ndaj të njëjtit do të merren masa. Ka objekte që plotësojnë kushtet për legalizim por edhe që nuk i plotësojnë ato”,shtoi Qerimi.

Ndryshe më 31 dhjetor 2016 skadon edhe afati për dorëzimin e elaborateve për legalizimin e objekteve infrastrukturore deri te Komunat. Bartësit e objekteve infrastrukturore, gjithashtu, duhet në kohë të kërkojnë përgatitje të elaborateve, duke pas parasysh se duhet të maten qindra mijëra kilometra infrastrukturë, njofton Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button