Bashkëpunimi mes partive shqiptare: Aktivizimi i Tiranës zyrtare i mirëseardhur

Mesazhet nga Tirana për bashkëpunim mes partive shqiptare në Maqedoni janë të mirëseardhura dhe duhet të merren me seriozitet nga partitë e këtushme. Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike. Sipas tyre, nuk duhet humbur gjasa kur shqiptarët janë faktor i pakontestueshëm në formimin e qeverisë së ardhshme, shkruan Portalb.mk.

Tahiri: Mesazhet duhet t’i kontribuojnë zhvillimit të dialogut politik

Sefer Tahiri
Sefer Tahiri

Profesori universitar Sefer Tahiri vlerëson se porositë që vinë nga Tirana zyrtare, janë të mirëseardhura. Ai mendon se Tirana duhet të ketë qasje më pro aktive ndaj statusit të shqiptarëve në Maqedoni, në kuptimin juridik kushtetues.

Mirëpo, sipas Tahirit, e rëndësishme është që në këto takime të mos debatohet për të drejtat kolektive të shqiptarëve me statusin e komunitetit, por të bisedohet për të drejta kolektive të shqiptarëve si shtetformues, të barabartë me maqedonasit.

“Shqipëria ka detyrim ndaj shqiptarëve si shtet amë, nga cilido shtet tjetër. Besoj se partitë politike shqiptare duhet t’i lexojnë në mënyrë të drejtë mesazhet, konsideroj se këto mesazhe do të kontribuojnë në zhvillimin e dialogut politik mes shqiptarëve. Kjo nuk do të thotë se pluralizmi politik duhet të shmanget dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni të kenë një vijë politike. Konsideroj se në kushte të demokracisë dhe pluralizmit është e pamundur. Uniteti politik është i mirëseardhur, por duhet të lihet shteg edhe për pluralizmin, sepse ndryshe nuk mund të ketë kuptim funksionimi i sistemit demokratik. Mund të ketë koordinime, por shqiptarët kanë votuar që dikush t’i përfaqësoj edhe nga pozicioni i opozitës. Kjo do të thotë se, nëse disa parti marrin pjesë në pushtet, në rastin konkret BDI e cila është e pashmangshme dhe njëra nga koalicionet politike shqiptare, njëri prej tyre duhet të mbetet në opozitë, sepse vetëm në këtë mënyrë ka kuptim funksionimi i demokracisë”, tha për Portalab Tahiri.

Mehmeti: Ky moment i shqiptarëve nuk duhet djegur për ambicie personale

Ibrahim Mehmeti
Ibrahim Mehmeti

Padyshim që situata e krijuar nga rezultatet zgjedhore është në favor të subjektit politik shqiptarë në Maqedoni, mirëpo efektimi i kësaj situate do të varet nga shkathtësia politike e liderëve shqiptar, konsideron analisti politik Ibrahim Mehmeti.

“Është për t’u përshëndetur që gjatë fushatës parazgjedhore nuk kishte përzierje, së paku jo të dukshme, në luftën politike të partive shqiptare në Maqedoni. Mirëpo, tani që rezultatet janë ashtu siç janë, do të ishte shkurtpamësi të vazhdohet me luftën për pozicione partiake në dëm të interesit më të gjerë. Partitë shqiptare, edhe pse me numër më të vogël deputetësh fituan mundësi të jenë faktor vendimmarrës dhe kjo gjasë nuk duhet djegur për hir të ambicieve personale ose te ngushta grupore. Edhe mesazhet që vinë nga dashamirë, qofshin shqiptare ose të tjerë, duhet shikuar nga ky këndvështrim”, deklaroi për Portalb Mehmeti.

Memedi: Duhet të merren parasysh mesazhet e Tiranës zyrtare

Deniz Memedi
Deniz Memedi

Politikologu Deniz Memedi thotë se shkaku i frekuentimit të mesazheve nga Tirana zyrtare vjen si pasojë e rezultateve nga zgjedhjet e fundit të 11 dhjetorit. Nga këndvështrimi i Memedit ky është momenti krucial ku shqiptarët mund t’i zgjidhin disa çështje që i tangojnë më së shumti.

“Deklarativisht të gjithë partitë politike zotohen fillimisht për mbrojtje të interesave shqiptare. Në rast se është ashtu atëherë duhen të merren parasysh mesazhet e lidershipit shqiptar dhe njëzëri të dalin me kushtet e parashtruara të cilat gati se i kanë të ngjashme në platformat e tyre përballë bllokut të partive maqedonase”, theksoi Memedi.

Kohëve të fundit protagonistë të skenës politike nga Shqipëria kanë shfaqur interes në zgjidhjen e problemeve brenda partive politike shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta, kanë qenë më të zëshëm në këtë drejtim./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button