Beteja për Mosulin, amerikanët gati për vijën e frontit të luftës

Forcat irakiane do të rinisin ofensivën e tyre ndaj Shtetit Islamik në brendësi të Mosulit brenda pak ditësh. Kështu paralajmëroi një komandant amerikan nga fushëbeteja, duke iu referuar fazës së dytë të operacionit dymujor që pritet t’i zhvendosë trupat amerikane më pranë me vijën e frontit të luftës në këtë qytet, transmeton Top Channel.

Beteja për Mosulin, ku përfshihen 100 mijë trupa irakianë, anëtarë të forcave kurde të sigurisë dhe milci shiite, është betjea më e madhe në terren në Irak që prej invazionit të udhëhequr prej SHBA-ve në vitin 2003. Faza e re pritet t’u japë trupave amerikane rolin më të madh ushtarak që prej përmbushjes së angazhimit të presidentit Barack Obama për t’u tërhequr nga Iraku në vitin 2011.

Ushtarë elitarë irakianë kanë marrë thuajse çerekun e Mosulit, që përbën edhe bastionin e fundit të rëndësishëm të xhihadistëve në Irak, por avancimet e tyre kanë qenë të ngadalta. Ndërkohë, gjatë këtij muaji ata u përfshinë në një fazë operacionale pushimi, e para gjatë fushatës.

Një njësi e armatosur rëndë me disa mijëra policë federalë është dislokuar, nga periferitë jugore ku ishte rreth dy javë më parë, në përforcim të fronteve lindore, pasi njësitë ushtarake të këshilluara prej amerikanëve pësuan humbje të mëdha nga një kundërsulm i Shtetit Islamik.

Këshilltarët amerikanë, pjesë e një koalicioni ndërkombëtar që ka zhvilluar mijëra sulme ajrore dhe ka stërvitur dhjetëra mijëra trupa tokësore irakiane, do të punojnë drejtpërdrejt me këto forca dhe me një forcë elitare goditëse të Ministrisë së Brendshme.

“Për momentin jemi duke bërë të gjitha përgatitjet për fazën e ardhshme të sulmit, pasi do të nisin futjen në pjesën e brendshme të Mosulit lindor”, tha kolonel Stuart James. “Aktualisht, pozicionimi i forcave luftarake dhe pajisjeve dhe armatimeve drejt kësaj pjese të objektivit tonë do të ndodhë në vetëm pak ditë”.

Kjo lëvizje do t’i vendosë trupat amerikane në mes të rrezikut tejet të madh të Mosulit, edhe pse James tha se niveli i rrezikut karakterizohet si “i moderuar”. Gjatë 15 muajve të fundit, 3 ushtarakë amerikanë janë vrarë në veri të Irakut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button