Biznesmeni i ri, Sinan Jusufi ndihmon Shkupin me 1.5 milion denar

Derisa futbollistët e FC Shkupi po shfrytëzojnë kohën për pushimin dimërorë, kryesia e klubit ka vazhduar pa ndërpre në kërkim të përmirësimit të kushteve për ekipin, duke kontaktuar dhe me donator të mundshëm të cilët do të kontribuojnë që të mbajnë skuadrën e Shkupit në mesin e ekipeve më të mira në Maqedoni.

Së fundi një nga biznesmenët e rinj shqiptar nga Shkupi, 20 vjeçari Sinan Jusufi ka vendosur që në mënyrë vullnetare të donojë 1.5 milion denarë për skuadrën, duke treguar se Shkupi ka njerëz që janë të gatshëm që klubin e zemrës ta përkrahin në situata të vështira dhe se tani kur në fuqi do të jetë ligji për sponsorizim të ekipeve sportive, bizneset do ta kenë shumë më të lehtë për të ndihmuar klubet, duke e ditur se 50% nga tatimi i fitimit, do të munden të donojnë në ekipet profesionale  të futbollit.

Lidhur me donacionin e fundit ka folur edhe vet biznesmeni Sinan Jusufi, i cili ka potencuar se dashuria, miqësia, lojaliteti dhe përkushtimi më së shumti tregohen atëherë kur dikujt i duhet ndihma jote.

“Klubi futbollistik Shkupi është klub zemre i çdo banori të Çairit dhe më gjerë edhe i shumë shkupjaneve. Edhe unë ka shume vite që i përcjell zhvillimet e këtij klubi dhe çdoherë i jam gëzuar arritjeve të FC Shkupit. Është evidente se në përgjithësi në Maqedoni klubet sportive kalojnë nëpër kriza të ndryshme, të cilat ndonjëherë i tejkalojnë, e ndonjëherë nuk kanë fat dhe si rezultat i asaj zhduken. Dashuria, miqësia, lojaliteti dhe përkushtimi më së shumti tregohen atëherë kur dikujt i duhet ndihma jote. Duke dashur që FC Shkupi të tejkaloje momentet e vështira kam vendosur që të bej një hap të vogël , duke dhuruar një shumë modeste për klubin. Këtë e bëjë së pari për hir të të rinjve, futbollistëve, tifozëve dhe në përgjithësi sportdashësve. Shpresoj se ky gjest do të inkurajoje të gjithë dashamirët e FC Shkupi që të kontribuojnë dhe së bashku t’i gëzohemi sukseseve edhe në arenën ndërkombëtare të futbollit”, ka thënë mes tjerash në takim me kryesinë e klubit biznesmeni i ri, Jusufi.

Suat Alija, Sinan Jusufi dhe Ejup Ademi
Suat Alija, Sinan Jusufi dhe Ejup Ademi

Në takim të pranishëm ishin edhe kryetari i klubit Ejup Ademi dhe nënkryetari Suat Alija të cilët publikisht kanë falënderuar për këtë gjest Sinan Jusufin, duke potencuar se jo rastësisht që në fillim të rikthimit në skenë të FC Shkupit, kishin potencuar se ky klub është i të gjithë shqiptarëve dhe se gjithkush është i mirëseardhur për ta ndihmuar apo edhe për të qenë pjesë direkte me investime kapitale.

“Falënderoj publikisht biznesmenin e ri Sinan Jusufi, i cili me zemërgjerësinë e tij ka treguar se nuk ka rëndësi mosha, por vepra. Ndihma që ka bërë për klubin e tij të zemrës dhe të gjithë shqiptarëve është e mirëseardhur. Ne kemi thënë që në fillim kur e rikthyem FC Shkupin në gara kampionale se ky klub është i të gjithëve dhe ashtu do të jetë deri në fund. Andaj dyert janë të hapura për të gjithë ata të cilët kanë qëllim të sinqertë që FC Shkupi të ecë para dhe të jetë në mesin e klubeve më të mira në vend”, ka përfunduar kryetari Ejup Ademi.

Kryesia e klubit përveç se ka vazhduar të punojë në përmirësimin sa më të mirë të kushteve për skuadrën, gjithashtu është në vazhdimësi duke punuar edhe në drejtim të gjetjes së përforcimeve të reja. Të përkujtojmë se deri më tani nga klubi janë liruar me pajtim të dy palëve, sulmuesi Khalil Lambin dhe Fisnik Zuka. Ndërsa ditëve në vazhdim pritet që të mësohen emrat e futbollistëve që do të përforcojnë skuadrën si dhe emri i trajnerit të ri. /Portalb.mk/

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button