Mërgimtari

Mërgimtari është ai i cili braktis dashurinë e prindërve, ngrohtësinë e familjes dhe gjënë më të shenjtë vendlindjen. E kush tjetër do sakrifikonte gjërat më të vlefshme në jetë, vetëm e vetëm të arrijë të sigurojë një jetë më të mirë për vete, për familjen dhe një të ardhme të sigurte për fëmijët e tij.

Edhe pse çdonjëri nga ne mendon të kundërtën. Rruga e kurbetit është rrugë shumë e vështirë, pasi asnjëri nuk fillon në atë rrugë me vetë-dëshirë. Rrethanat e këqija, papunësia, mos garancioni për një të ardhme të ndritshme janë ndër arsyet parësore për marrjen e vendimit për tu larguar nga vendi më i ëmbël i quajtur vendlindje. Jeta e një mërgimtari është jetë e cila nga pamja e jashtme duket shumë e ëmbël por në të vërtetë është shumë e hidhur. Për jetën e mërgimtarit mundë të themi se është një jetë e pakuptimtë. A mundet të arrihet lumturia përderisa tërë kohën që jeton dhe vepron në vend të huaj e ke mendjen te vendlindja? Të jetosh çdo ditë duke numëruar ditët se kur do të kthehesh në vendlindje, sigurisht që nuk ke jetë të rehatshme.

Mërgimtarët janë të vetmit të cilët sakrifikojnë shumë vetëm për të ardhur që të çmallen tek familjarët ,për një ose dy javë. Kalojnë shumë kilometra, shumë orë rrugës. Ndodhë që me orë të tëra të presin nëpër kalime kufitare në mënyrë katastrofale vetëm e vetëm që të arrijnë te familjet e tyre. Malli i madh që kanë është i vetmi send i cili i bën të ndihen të palodhshëm në këtë udhëtim. Janë të vetmit të cilët etiketohen me fjalët më të këqija duke u thënë se vijnë vetëm për arsye të kota. Jo, ata vijnë vetëm për ne!

Mërgimtarët janë të vetmit që edhe kur vijnë këtu ne i bëjmë të ndjehen si të huaj. E ku do ta gjejnë lumturinë nëse nuk e gjejnë këtu në vendlindje. Secili nga ne ka për obligim që të sillet në mënyrën më të bukur me ta, pasi ata harxhojnë jetën e tyre duke u munduar për ne, punojnë njëmbëdhjetë muaj vetëm që të arrijnë të kënaqen ne kohën kur vijnë këtu. Ne duhet ti bëjmë që ta kuptojnë se në të vërtet ata i takojnë këtij vendi ky vend nuk mundet pa to, se ata janë vëllezërit tanë. Çdo herë janë të mirëseardhur! Shpresoj të jenë të kënaqur ndaj nesh edhe ne duke bërë disa lëshime të jemi të kënaqur me ta. Ata janë gjithçka për ne!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button