Gjashtë supozime për takimin e nesërm të liderëve politik shqiptar

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 11 dhjetor të këtij viti dhe rezultati zgjedhor me kontestimin e atyre zgjedhjeve vetëm në dy vendvotime kanë nxjerr në pah shumë risi në skenën politike maqedonase dhe shqiptare. Ky rezultat zgjedhor mund të parashikohej prej një pjese të shqiptarëve të Maqedonisë, por jo deri në këtë formë të segmentizimit që nuk duhet nënkuptuar vetëm në konotacionin negativ edhe pse janë humbur mjaft mandate shqiptare.

BDI arriti një fitore të zbehtë karshi subjekteve dhe koalicioneve të reja shqiptare, Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët. Në anën tjetër, PDSH-ja, ashtu edhe si pritej, po përgatitet që të kaloj në histori si një parti e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe reformimin e subjekteve politike shqiptare në vend. Në anën tjetër tek subjektet politike maqedonase kemi një situatë të fragmanterizuar të ngushtë të një beteje e cila nuk përcakton qartas fituesin e zgjedhjeve të 11 dhjetorin dhe mandatarin e ri. Për mandatarin e ri fjalën kryesore do ta thuan banorët e Tearcës ku këtë të diele pritet që të përsëriten votimet për shkak të kontestimit të tyre në KSHZ dhe në Gjykatën Administrative.

Në gjithë këtë zallamahi politike, pritshëm ose jo, kanë ndodhur dy ndryshime të rëndësishme që ndoshta mund të shihen me dyshime: dorëheqja e liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi dhe thirrja e takimit të liderëve të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, nesër, një ditë para përsëritjes së zgjedhjeve në Tearcë.

Në opinion janë ngritur disa supozime për qëllimin e takimit të nesërm të cilat unë do t`i kisha përmbledhur në gjashtë supozime të cilat mundet që asnjëra prej tyre të mos jetë e vërtetë:

1.U detyrua nga Sasho Mijalkov dhe Nikolla Gruevski- Supozimi i parë që po qarkullon në opinion është se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është detyruar nga ish shefi i shërbimit sekret maqedonas, Sasho Mijalkov dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski që të thirrë takimin e liderëve të subjekteve politike shqiptare me qëllim të presionit ndaj tyre. Në këtë mënyrë, një ditë para zgjedhjeve në Tearcë, Gruevski, sipas këtyre supozimeve, po i bën presion trupit shqiptar votues për të bojkotuar ose mos u përcaktuar për LSDM-në opozitare.

2.U detyrua nga Edi Rama dhe Ilir Meta- Supozimi i dytë që po qarkullon në opinion është se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është detyruar nga kreu shqiptar, ku para disa ditësh ka realizuar disa takime, që të unifikoje shqiptarët dhe para formimit të qeverisë së re, shqiptarët në bisedime me mandatarin e ri të futen me kërkesa të unifikuara. Sipas këtij supozimi, Ali Ahmeti duhet që nesër të merret vesh me subjektet politike shqiptare për kërkesat e tyre për formimin e qeverisë së re dhe ndërtimin e strategjisë së bisedimeve se si të hyhet në bisedime. Pritet që të bëhen kompromise për subjektin politik shqiptar që do të ngel në opozitë.

3.U detyrua nga rezultati i keq zgjedhor- Supozimi i tretë që po qarkullon në opinion jep sinjalin se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke e parë rezultatin e dobët zgjedhor është detyruar që të ruaj imazhin e partisë së tij dhe të mos lejoje që e njëjta pak para zgjedhjeve lokale të përçahet ende më shumë dhe të pësoje humbje më të thellë. Ky rezultat i keq zgjedhor, sipas këtij supozimi, ia ka shtuar frikën në radhët e BDI-së, që në zgjedhjet lokale në disa komuna shqiptare ku BDI ka udhëhequr të sfidohet seriozisht nga kandidat shqiptar të mundshëm të LSDM-së.

4.U detyrua nga faktori ndërkombëtar- Ky supozim nxjerr në pah idetë se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është detyruar nga faktori ndërkombëtar që të unifikoje partitë politike shqiptare dhe ashtu të unifikuar ngadalë të distancohen nga retorika anti perëndimore e Nikolla Gruevskit. Në këtë mënyrë do të përgatitej terreni që subjektet politike shqiptare të futeshin në bisedime me LSDM-në dhe ta injoronin dhe izolonin Nikolla Gruevskin. Në takimin e nesërm, sipas këtij supozimi pritet që të bëhet një marrëveshje për përkrahjen e LSDM-së në zgjedhjet e përsëritura në Tearcë me kushtin që LSDM-ja në zgjedhjet lokale të mos e sfidoje BDI-në në komunat shqiptare.

5.U detyrua nga zërat e brendshëm në parti- Gjithnjë e në pah janë duke dal zërat e anëtarëve të pakënaqur në BDI të cilët nuk duan që BDI-në ta shohin në armiqësi të vazhdueshme me subjektet politike shqiptare. Sipas kësaj pikëpamje dhe supozimi, lideri i BDI-së është detyruar nga këto zëra që së paku të inicoje një takim të këtillë me qëllim që t`i shuaj këto zëra në parti dhe të mos lejoje që të njëjtat të ngelin edhe për në zgjedhjet lokale që janë shumë afër.

6.U detyrua nga mërgata shqiptare e Strugës dhe Kërçovës- Për shkak të asaj se zgjedhjet lokale janë afër dhe se Struga dhe Kërçova është fituar nga shqiptarët me ndihmën e mërgatës shqiptare, kjo mërgatë, thotë supozimi, i ka bërë presion liderit të BDI-së që të unifikoje shqiptarët në Maqedoni. Përndryshe, nëse nuk e bënë këtë gjë, mërgata është kërcënuar se në zgjedhjet lokale që do të mbahen në maj të vitit 2017 nuk do të përkrah BDI-në dhe si rezultat i kësaj Struga dhe Kërçova do të humbeshin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button